Sipas raportit të fundit të Instituti të Shëndetit Publik – Shkup, në periudhën prej 24 deri më 30 gusht të këtij viti janë bërë 9.944 teste për virusin korona, ndërsa janë regjistruar 666 raste pozitive në 29 qytete përgjatë vendit që paraqet ulje prej 20,6 për qind në krahasim me javën e kaluar. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë në Shkup, 209. Këtë sot në konferencë për media e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Në periudhën e njëjtë në 23 qytete, gjegjësisht shtatë më shumë në krahasim me javën e kaluar, numri i të diagnostikuarve të rinj është nën 20. Përqindja e të testuarve pozitivë nga numri i përgjithshëm i testeve 6,7 për qind, që është ulje prej 0,8 për qind në krahasim me javën e kaluar dhe është ruajtur ky trend i uljes së përqindjes së rasteve pozitive”, tha Filipçe.
Ai informoi se nga rastet në javën e kaluar, janë hospitalizuar gjithsej 71 që është ulje prej 40,3 për qind në krahasim me javën e kaluar. Ky trend po ndiqet në të gjithë institucionet spitalore ku po mjekohen këta pacientë.
Filipçe informoi se edhe disa pacientë të rritur kanë mbetur në spitalin Kozle, i cili përsëri në periudhën në vijim do të jetë i dedikuar vetëm për mjekimin e fëmijëve. Në SPQ “8 Shtatori” – Shkup ka ulje të konsiderueshme të numrit të pacientëve të hospitalizuar ose rreth 30, që lejon gradualisht të kthehet funksionimi normal në spital, përmes sistemit “Termini im”.
Ministri i Shëndetësisë njoftoi se janë regjistruar 35 raste të vdekjes nga 13 qytete. Prej tyre 29 kanë pasur komorbiditete të njohura.
“Në atë kuptim nga aspekti epidemiologjik mund të them se situata është e qëndrueshme”, përfshirë edhe në lidhje me gjendjen në spitale”, potencoi Filipçe.
Comments are closed for this post.