Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se Republika e Maqedonisë së Veriut i përmbush kriteret që të fillojë negociatat për anëtarësim dhe konsideron se shtyrja ka ndikim negativ mbi besueshmërinë e BE-së, ka thënë euroambasadori Dejvid Gir duke prezantuar raportin e KE-së mbi progresin e vendit në procesin e eurointegrimit.

Gir në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov ka dhënë konkluzën e KE-së ku pritet që konferenca e parë ndërqeveritare me të cilën do të shënohej fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut të mbahet deri në fund të vitit.

Prandaj, ka shtuar, Gir duhet të forcohen përpjekjet për zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë.

Duhet të vazhdojë, ka theksuar ai, edhe implementimi i marrëdhënieve bilaterale me Bullgarinë dhe me Greqinë nga të gjitha palët nënshkruese.

“Vendi ka dëshmuar vendosmëri të fortë në progresin drejt BE-së, mban hapin në reformat dhe ka rezultate. Duhet të vazhdojnë përpjekjet lidhur me luftën kundër korrupsionit, sundimit të së drejtës dhe reformat në administratë”, ka theksuar mes tjerash euroambasadori Gir.