E përditshmja spanjolle, me bazë në Madrid, pretendon se ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, ende nuk e ka arritur shifrën prej 400 golave të shënuar në La Liga, pasi që golin e shënuar në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos e cilëson si autogol të Fernando Amorebietas.

Messi u bë lojtari i parë në histori të La Ligës që ka arritur t’i shënojë plot 400 gola. Këtë rekord ai e arriti në ndeshjen kundër Eibarit, duke e shënuar golin e dytë në fitoren e katalonasve me rezultat 3-0, transmeton Gazeta Express.

Mirëpo, Marca e kundërshton këtë rekord të Messit, pasi që pretendon se një nga 400 golat e shënuara nga Messi i ishte atribuuar gabimisht argjentinasit. Këtë pretendim, gazeta spanjolle e bën për golin e shënuar në fitoren e Barcelonës me rezultat 5-1 ndaj Athletic Bilbaos.

Në këtë ndeshje, të sezonit 2012/2013, Messi e kishte shënuar golin e 14-të të sezonit. Megjithatë, Marca pretendon se goli ishte shënuar nga Amorebieta, pasi që gjuajtja e Messit ishte devijuar nga ai.

Megjithatë, gjyqtari i asaj ndeshjeje, Miguel Mateu Lahoz, e kishte vlerësuar atë si gol të shënuar nga Messi dhe faqja zyrtare e La Ligës e përgëzoi argjentinasin për arritjen e tij, përkundër pretendimeve të Marcas.