Në rajonin e qytetit të Shkupit vikendin e kaluar kanë ndodhur 28 aksidente,  prej të cilave në 14 ka persona të lënduar,  ndërsa në 14 është shkaktuar dëm material. Sipas buletinit të SPB-së Shkup, gjithsej janë lënduar 19 persona, prej të cilëve katër më rëndë dhe 15 me lëndime të lehta.

Policia e komunikacionit ka sanksionuar 156 shoferë të cilët kanë qarkulluar me shpejtësi më të madhe nga e lejuara dhe 37 shoferë të cilët kanë qenë nën ndikim të alkoolit.

Nga komunikacioni janë përjashtuar edhe 76 shoferë të cilët kanë ngasur para se të marrin patentë shoferi dhe 11 shoferë fillestarë. Nga komunikacioni janë përjashtuar edhe 62 automjete të paregjistruara.

Janë dhënë edhe 131 dënime mandatuese për parkim të paligjshëm, ndërsa 95 automjete  të cilat janë parkuar në mënyrë të paligjshme janë mënjanuar me automjetin special “karrotrec”.

Në dritë të kuqe kanë kaluar 17 shoferë,  pesë shoferë nuk u kanë dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar për këmbësorë, një për parkim të paligjshëm dhe katër për arritje të shpejtë,  ndërsa janë evidentuar edhe 26 shoferë të cilët kanë përdorur celular derisa ishin duke ngasur automjetin. Për mosshfrytëzim të helmetës janë sanksionuar 43 shoferë të motorit, mopedit dhe motoçikletës, si dhe nëntë shoferë për mosmbajtje të rripit të sigurisë.