Korrupsioni është një fenomen nga i cili asnjë sistem dhe asnjë organ nuk mund të mbetet imun, theksoi sot ambasadori francez në vend, Siril Bomgartner, në seminarin kushtuar parandalimit dhe ndëshkimit të korrupsionit. si dhe perspektivat në Francë dhe Evropën Juglindore.

“Vëmendja jonë këtu përmes këtij seminari nuk është të shërbejmë si model apo të japim leksione, por të kemi një shkëmbim midis specialistëve përmes përvojave tona që të përpiqemi së bashku t’i gjejmë praktikat më të mira”, tha Bomgartneri.

Në seminar, siç paralajmëroi ai, do të bisedohet në detaje për këtë temë të ndjeshme, ndërsa qëllimi përfundimtar është që të jetë sa më praktike. Prandaj, tha ambasadori, gjatë gjithë ditës do të bisedojmë në një temë specifike “Agjencitë kombëtare për luftë kundër korrupsionit si parandalim, hetime dhe sanksione ndërkombëtare në sanksionet si represion apo ndëshkim”.

“Bëhet fjalë për çështje të rëndësishme që janë prioritet edhe nga pikëpamja e BE-së, veçanërisht në pikëpamje të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, dhe e dini se kjo procedurë u përshpejtua këtë verë me inkurajimin e presidencës franceze me Këshillin e BE-së dhe do të ishte më e logjikshme që sot të organizojmë një seminar të këtij lloji, ta tregojmë angazhimin tonë të vazhdueshëm në dobi të Maqedonisë së Veriut si ndihmë dhe përcjellës në rrugën e saj integruese”, tha Bomgartneri.

Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançeski në fjalimin e tij u përqendrua në masat dhe aktivitetet të cilat i ndërmerr Qeveria për parandalimin dhe zbatimin e ligjeve kundër korrupsionit. Ai i përmendi Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Përplasjen e Interesave, Ligjin për Lobim dhe Kodin Penal. Në draftin e Kodit të ri Penal, siç tha, janë paraparë risi të caktuara te veprat penale kundër detyrës zyrtare, ndërsa keqpërdorimi gjatë furnizimit publik do të jetë krim më vete.

“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit paraqet një nga prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e RMV-së në procesin e integrimit evropian, nga tetori i vitit 2022, është konstatuar se shteti vazhdon të përparojë në hetimet, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, përfshirë edhe rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, ndërsa nuk ka kaluar pa u vënë re dhe veprimi proaktiv i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, tha Tupançeski.

Në listën e fundit të Transparensi Interneshënëll për Indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2021, siç shtoi ministri, Republika e Maqedonisë së Veriut e ka përmirësuar pozitën e saj për katër pikë në krahasim me vitin paraprak dhe është në vendin e 87-të, për dallim nga raporti i vitit 2020 kur ishte në vendin e 111-të.

Tupançeski theksoi se Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë vazhdojnë me ndërmarrjen e masave për realizimin e angazhimeve për bashkëpunim dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve, përforcim të kapaciteteve institucionale dhe transparencën e tyre për bashkëpunim me sektorin civil, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim të luftimit efektiv kundër korrupsionit.

Seminari është në organizim të Ambasadës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.