filmi “Oppenheimer” mbërriti më në fund në vendin ku dy qytete u shkatërruan 79 vite më parë nga armët bërthamore të shpikura nga shkencëtari amerikan, që është subjekti kryesor i këtij filmi. Japonezët që shkuan për ta parë në kinema, e pritën me reagime të përziera.

Qytetarët në Hiroshima patën reagime të ndryshme ndaj filmit fitues të çmimit Oscar, “Oppenheimer”, i cili më në fund filloi të shfaqet në kinematë në Japoni.

Filmi, një dramë historike prej tre orësh, për garën për krijimin e bombës së parë bërthamores, mori shtatë çmime Oscar, ndër to edhe çmimin prestigjioz për filmin më të mirë.

65-vjeçarja Agemi Kanagae nxitoi për ta parë filmin në kinemanë që ndodhet rreth një kilometër pranë memorialit ku shpërtheu bomba e parë bërthamore në Hiroshima.

 

 

“Filmi ja vleu vërtet dhe arrita të përqëndrohem deri në fund. Por nuk u ndjeva mirë me disa skena, si gjyqi ndaj Oppenheimerit në Shtetet e Bashkuara, në fund”, thotë zonja Kanagae, e cila ndihet e zhgënjyer që në film nuk tregohen historitë e viktimave në Hiroshima dhe Nagasaki.

Një tjetër banor i Hiroshimës tha se i pëlqejnë filmat e regjizorit Christopher Nolan, por se nuk është i sigurt nëse ky film do të pritet mirë në Japoni.

“Filmi e paraqet gjithashtu bombën atomike në një mënyrë që duket sikur e lëvdon. Duke qenë se i kam rrënjët nga Hiroshima, e pata të vështira ta shikoja. Nuk jam i sigurt nëse ky është një film që japonezët duhet të përpiqen ta shohin”, thotë zoti Kawai, i cili dha vetëm mbiemrin e tij.

Filmi sidoqoftë nuk paraqet drejtpërdrejt skenat që u zhvilluan në terren kur bombat u hodhën në Hiroshimë dhe në Nagasaki. Filmi në të vërtetë përqëndrohet tek shkencëtari Oppenheimer dhe tek konfliktet e tij të brendshme.

“Filmi rrëfen historinë nga perspektiva amerikane, nga pala që e shpiku armën bërthamore. Hiroshima dhe Nagasaki, mbi të cilat u hodhën bombat atomike, janë sigurisht viktimat. Por mendoj se megjithëse shpikësi është një ndër autorët, ai është edhe vetë viktimë e kësaj lufte”, thotë Rishu Kanemoto, student 19-vjeçar nga Hiroshima.

Disa studiues, si profesori Kazuhiro Maeshima, thonë se prodhimi i një filmi të tillë me sukses të madh në Hollivud, do të ishte i paimagjinueshëm dekada më parë, kur justifikimi për armët bërthamore dominonte në ndërgjegjen e amerikanëve. Filmi tregon se sa shumë ka ndryshuar Amerika, thotë profesori Maeshima.

Nga ana tjetër, ka edhe zëra që kërkojnë një përgjigje japoneze ndaj filmit “Oppenheimer”. Regjizori japonez i filmit “Godzilla”, Takashi Yamazaki, i tha gjatë një bisede regjizorit amerikan Christopher Nolan të filmit “Oppenheimmer” se do të donte ta realizonte një film të këtillë në formë përgjigjeje.

Japonia është i vetmi vend që është goditur me armë bërthamore. Nga dy bombat u vranë 200 mijë njerëz në vitin 1945, ndërsa vazhdonte Lufta e Dytë Botërore.

Dyshimet nëse “Oppenheimer” do të mund të arrinte deri në kinematë në Japoni, u shfaqën që kur pati premierën vitin e kaluar. U deshën mbi tetë muaj që filmi të mbërrinte në Japoni pas premierës në Shtetet e Bashkuara.