Vazhdon procesi i përpilimit të teksteve dhe materialeve të reja mësimore për nxënësit e shkollave fillore, proces i cili është duke u reformuar sipas planit afatmesëm të veprimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe institucioneve dhe palëve të tjera të përfshira. Ju njoftojmë se është shpallur thirrje për autorë për parashtrimin e propozimeve të teksteve shkollore për lëndët mësimore për klasën e tretë për vitin shkollor 2023-2024, për të cilët Byroja për Zhvillimin e Arsimit tashmë ka përgatitur programe të reja mësimore.

Thirrja publikohet më herët se praktika e zakonshme e deritanishme, me qëllim që të sigurohet që procedura për miratimin e teksteve për klasën e tretë në gjuhën maqedonase, shqipe, turke, serbe dhe boshnjake, në matematikë, shkenca natyrore dhe shoqëri, të përfundojë para fillimit të vitit shkollor shtatorin e ardhshëm.
Të drejtën e pjesëmarrjes në konkurs e kanë të gjithë autorët të cilët i plotësojnë kushtet e parapara me nenin 10 të Ligjit për Tekstet Shkollore për Arsimin Fillor dhe të Mesëm. Gjithashtu në konkurs mund të marrë pjesë autori me vetëm një dorëshkrim për tekst shkollor për një lëndë mësimore dhe ai duhet të përgatitet sipas plan-programit mësimor për klasën përkatëse dhe në përputhje me Konceptin për tekst shkollor pë arsim fillor dhe të mesëm
Afati i fundit për dorëzimin e dorëshkrimeve për tekste shkollore është 13 shkurt 2023.
Më shumë detaje për të gjitha kushtet shtesë, kriteret, dokumentacionin e nevojshëm dhe mënyrën e dorëzimit mund t’i gjeni në linkun.
Reformimi i sistemit arsimor nacional në fushën e arsimit fillor mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Programet mësimore dhe tekstet e reja shkollore duhet të mundësojnë të mësuarit me kuptim, në vend të memorizimit faktik të të dhënave, si dhe të rrisin kreativitetin, inovacionin dhe të menduarit kritik tek të rinjtë. Deri më tani janë përgatitur programet mësimore dhe tekstet e reja shkollore për klasën e parë, dytë, katër dhe klasën e pestë.