Prej Urës së Gurit, përmes ndërtesës së MCM-së deri tek Parku i Qytetit – sonte, në orën 20:30, fillon edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Artit të dritave, Skopje Light Art District. Festivali do të zgjasë deri më 22 gusht, do të zhvillohet në një rrugë të paracaktuar dhe do t’u ofrojë vizitorëve instalime të shumta ndriçimi që do t’i gjallërojnë ndërtesat në qendër të qytetit.

“Edicioni i tretë i Festivalit të dritës paraqet një urë simbolike, një lidhje piktoreske që bashkon artin, teknologjinë dhe shkencën, të kaluarën me të tashmen dhe të ardhmen, qytetin dhe natyrën, duke e përdorur gjuhën e dritës. Këtë vit, festivali do të dërgojë mesazhe për mbrojtjen e mjedisit – përmes vendimeve të përgjegjshme dhe stilit të jetës për ta mbrojtur natyrën dhe thesaret e saj”, kumtoi Qyteti i Shkupit.

Ata theksuan se për komunikim më të lehtë, për t’i njohur artistët dhe veprat e tyre, si dhe hartën e vendosur të lëvizjes, Skopje Light Art District krijoi edhe aplikacion Android që vizitorët mund ta shkarkojnë në celularët e tyre dhe ta përdorin gjatë festivalit.

Festivali Ndërkombëtar i Artit të dritës organizohet nga Salla Universale dhe Qyteti i Shkupit, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Institutit francez në Shkup.