Filloi votimi treditësh për zgjedhjet e dhjeta parlamentare, të pesta të parakohshme nga pavarësia e vendit. Këto janë zgjedhjet më specifike që deri tani janë organizuar në vend duke e marrë parasysh gjendjen me koronavirusin dhe masat që duhet të respektohen, si nga ana e qytetarëve me mbajtje të maskës, mbajtje të distancës, ashtu edhe nga ana e anëtarëve të këshillave zgjedhorë, vëzhguesve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në proces. Votimi sot fillon pikërisht me personat me Kovid-19 dhe në vetizolim, kërkesat e të cilëve ishin pranuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa e realizojnë këshilla të veçantë zgjedhorë të përbërë prej tre punonjësve shëndetësor dhe përfaqësues të partive politike.

Në listën zgjedhore për këto zgjedhje janë regjistruar një milion e 814 mijë e 263 qytetarë të moshës madhore me të drejtë të votimit. Këtë herë në Listën zgjedhore janë vendosur edhe të gjithë personat të cilët deri më 15 korrik do t’i mbushin 18 vjet.

Sipas informatave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në librat amë të Listës së votimit janë regjistruar një milion e 729 mijë e 189 persona. Personat të cilët janë shpërngulur ose punojnë në vendet e huaja në librat amë të veçanta zgjedhorë janë regjistruar 83.054 votues. Në listën e veçantë zgjedhore për personat në burg ose në paraburgim janë regjistruar 1.657 votues, në shtëpitë e pleqve 357 dhe gjashtë persona udhëhiqen si persona shpërngulës të brendshëm.

Në këto zgjedhje nuk do të mbahet votimi në diasporë, sepse gjatë paraqitjes e cila ndodhi para shpalljes të gjendjes së jashtëzakonshme nuk u paraqitën numër i mjaftueshëm i shtetasve tanë. Megjithatë, mërgimtarët do të mund të votojnë nëse kanë udhëtuar për në vendin tonë me dokumentacion të vlefshëm.

Gjithashtu, KSHZ paralajmëroi se në zgjedhjet do të mund të votojnë edhe persona me dokumentacion rrugor vlera e të cilave ka skaduar nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa është vazhduar me dekretin me fuqi ligjore të qeverisë deri më 30 korrik.

Në lidhje me njësitë zgjedhore numri mesatar i votuesve të regjistruar është 302.377 votues të regjistruar. Më së shumti votues ka në Kumanovë 93.603 votues, Manastir 81.607 votues, Aerodrom 66.525 votues, Butel 33.278 etj. Komunat me më së paku votues janë Vevçani me 2.062, Konçe me 2.724, ndërsa komuna me më së paku votues është Llozova 1.997 votues.

Në 90 vendvotime në shtetin tonë ka më pak se 10 votues edhe sipas Kodit zgjedhor, këto votues do të mund të votojnë në vendvotimin më të afërt. Në Makedonski Brod ka 11 vendvotime të tilla, në Probishtip 7, në Prilep 13 dhe të tjera.

Votimi do të realizohet në 3.480 vendvotime, ndërsa do të votohet për 15 parti politike dhe koalicione të cilat gjithsej kanë 1.578 kandidatë. Prej tyre, sipas statistikës së KSHZ-së, 675 (42,78 për qind) janë gra, ndërsa 903 (57,22 për qind) burra.

Sot realizohet votimi për personat pozitiv të Kovid-19 dhe në vetizolim, në 57 komuna ku kishte persona të paraqitur.

Nesër e martë, më 14 korrik votojnë të sëmurët, të pafuqishmit dhe të sëmurët kronik, personat në shtëpitë e pleqve, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak.

Vendvotimet më 15 korrik (e mërkurë) e cila është shpallur si ditë jo pune, do të hapen në orën 7 të mëngjesit, ndërsa dita zgjedhore përfundon dy orë më vonë nga e zakonshmja, përkatësisht në orën 21. Votimi është vazhduar për shkak të masave për mbrojtje nga Kovid-19.

Së pari këto zgjedhje ishin caktuar për më 12 prill, por për shkak të pandemisë së koronavirusit ato ishin anuluar, ndërsa pastaj ishin ricaktuar për më 15 korrik, pas negociatave të gjata të partive politike.