Rimëkëmbja e ekonomisë së Maqedonisë është e dukshme, për të cilën tregojnë projeksionet më të fundit në rritje të FMN -së dhe Bankës Botërore për rritjen ekonomike këtë vit, resprektivisht prej 4% dhe 4.6%. Konsolidimi fiskal afatmesëm i mbështetur përmes Planit për qëndrueshmëri fiskale dhe përkrahjes së rritjes, Strategjia e reformës së sistemit tatimor si dhe Plani i financimit të rritjes, janë një bazë e mirë për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale. Njëkohësisht, rimëkëmbja pas pandemisë ofron mundësi për përshpejtimin e tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër dhe dixhitale. Këto ishin vetëm disa nga konkluzionet e takimeve të sotme të mbajtura në kuadër të takimeve të vjeshtës së FMN-së dhe Bankës Botërore, të ministrit të Financave Fatmir Besimi me drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers, drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, Alfred Kamer, shefen e Misionit të FMN -së për vendin tonë, Bergliot Bjornson Barkbu dhe përfaqësuesen rezidente të FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Stephanie Eble, guvernatoren e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska dhe përfaqësues të tjerë zyrtarë.
Në këtë takim, sipas MF-së, u diskutuan dhe u përgëzuan masat e ndërmarra nga Qeveria për ballafaqim me pandeminë, që mundësojnë rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë.
Ministri i Financave theksoi se disa tregues me frekuencë të lartë tregojnë për rimëkëmbjen ekonomike. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, BPV-ja reale u rrit prej 13.1% në bazë vjetore dhe kështu vendi praktikisht doli nga recesioni i shkaktuar nga pandemia e virusit të koronës. Eksporti i të mirave dhe shërbimeve u rrit për 45% në bazë reale, ndërsa shkalla e papunësisë vazhdoi të zvogëlohet dhe arriti nivelin prej 15.9%.
Ministri i Financave theksoi se projeksioni i Qeverisë dhe Ministrisë së Financave është që këtë vit rritja e BPV-së të jetë 4.1%, por lëvizjet pozitive në tremujorin e dytë, zhvillimet si dhe politikat makroekonomike në tremujorin e tretë dhe të katërt, mund të kontribuojnë për ta përfunduar këtë vit me rritje më të lartë të BPV-së sesa ishte projektuar.
“Maqedonia e Veriut fokusohet në drejtim të shfrytëzimit dhe vendosjes më të mirë të instrumenteve tradicionale financiare dhe inovative për përkrahjen e projekteve investuese të sektorit privat dhe publik, përmes mobilizimit të mjeteve buxhetore, mjeteve nga kreditorët zyrtarë, si dhe mjeteve nga partnerët zhvillimorë. Shteti do të emetojë obligacione zhvillimore, obligacione të gjelbra dhe obligacione projektuese – ato do të jenë në dispozicion jo vetëm për investitorët e mëdhenj, por edhe për qytetarët që do të kenë mundësi t’i investojnë kursimet e tyre në investime të sigurta, me ndikim multiplikativ pozitiv në disa sfera prioritare të ekonomisë”, theksoi ministri i Financave.
Njëkohësisht, siç theksoi ai, do të krijohen kushte për rritjen e produktivitetit, ndërsa me zbatimin e axhendës dixhitale dhe të gjelbër, ekonomia do të jetë më konkurruese, gjithpërfshirëse dhe e qëndrueshme.
“Konsolidimi fiskal njëkohësisht do të sigurojë financim të pandërprerë të rritjes së qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse, me ç’rast do të zbatohet përmes menaxhimit më të mirë të projekteve investuese të sektorit publik dhe privat dhe përkrahjes nga sektori privat”, theksoi ministri i Financave.
Përveç kësaj, u theksua se tendencat makroekonomike dhe sektoriale do të vazhdojnë të monitorohen në mënyrë të kujdesshme, se Qeveria është e vetëdijshme për sfidat dhe se do të vazhdojë t’i përkrahë qytetarët dhe kompanitë e prekura, njëkohësisht duke i kushtuar vëmendje konsolidimit fiskal në periudhë afatmesme.
Në Takimet e vjeshtës, monetaristët theksuan se qeveritë duhet të kenë politikë fiskale afatmesme të qartë dhe kredibile, që do të sigurojë qëndrueshmëri fiskale. Masat lidhur me përkrahjen e ekonomisë, aty ku ka nevojë, nuk duhet të shfuqizohen para kohe, ndërsa aty ku është e mundshme, duhet të jenë sa më të targetuara dhe të kufizuara në kohë.
Konsolidimi fiskal, ripërtëritja e rezervave (baferëve), masat për përkrahje të ekonomisë, si dhe dixhitalizimi dhe axhenda e gjelbër ishin disa nga pikat kryesore të arsyetuara nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave të Belgjikës, Vincent Van Peteghem, në emër të 16 vendeve, përfshirë dhe vendin tonë, në fjalimin e tij në Komitetin e 44-të monetar dhe financiar, të mbajtur në kuadër të Takimeve të vjeshtës.
Petehem theksoi se fokusi i politikës fiskale duhet të zhvendoset gradualisht në ripërtëritjen e rezervave fiskale (baferëve), veçanërisht në vendet ku niveli i borxhit publik është rritur, me ç’rast do të mundësohet rezistencë ndaj krizave të mundshme të ardhshme, si dhe duke pasur parasysh sfidat vijuese si transformimi dixhital dhe tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër.
“Në vendet ku aktiviteti ekonomik është ende i kufizuar kryesisht nga pandemia dhe ku ka hapësirë fiskale, masat për përkrahjen e ekonomisë nuk duhet të shfuqizohen para kohe, me qëllim të minimizimit të “plagëve” nga një hap i tillë. Njëkohësisht, qeveritë duhet të hartojnë dhe komunikojnë politikë fiskale afatmesme të qartë, e cila do ta përforcojë besimin dhe do të krijojë hapësirë shtesë buxhetore, por në të njëjtën kohë do të sigurojë qëndrueshmëri fiskale”, tha ai, duke shtuar se ekonomitë e ndjeshme dhe të kufizuara fiskale, mund të kërkojnë ndihmë financiare multilaterale shtesë.
Comments are closed for this post.