Epidemiologu zviceran Marcel Salathe është nga të paktët ekspertë që aktualisht ka optimizëm për të ardhmen e pandemisë.
Nuk ka kaluar më shumë se një muaj qëkur Salathe kishte kritikuar ashpër administratën federale dhe atë kantonale të Zvicrës rreth menaxhimit të krizës. Testimi dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve të koronavirusit nuk funksionon aspak në Zvicër dhe gjithçka po zgjat shumë, kishte thënë ai.
Por Salathe, i cili është anëtar i task forcës së shkencës, të formuar në nivel federal për luftimin e COVID-19, tashmë sheh progres të rëndësishëm në frenimin e koronavirusit.
“Qysh në fillim të vitit 2021, gjendja në Zvicër mund të jetë aq e mirë sa që COVID-19 nuk do të jetë më i rrezikshëm se një grip i zakonshëm. Salathe sheh përparim të madh”, ka thënë ai në një intervistë për “SonntagsZeitung”.
Tani po funksionon. Numri i infeksioneve të reja është i konsiderueshëm me 400 raste në ditë por numrat janë të qëndrueshëm. Duket vërtet mirë tani. Gjurmimi i kontakteve tani merret seriozisht në të gjitha kantonet, përcjell albinfo.ch. Kantonet po bëhen gjithnjë e më efikase në ndjekjen e zinxhirëve të infeksionit dhe ndërprerjen e tyre.
Aplikacioni paralajmërues dixhital funksionon në mënyrë perfekte. Përfitimi nga ai mund të rritet, tha Salathe për “NZZ am Sonntag”. Sa më shumë përdorues të instalojnë aplikacionin, aq më shumë do të ketë efekt. Por ai do të dëshironte që Zyra Federale e Shëndetit Publik të raportonte edhe më pozitivisht rreth këtij aplikacioni, për të bindur edhe më shumë njerëz.
Nëse do të jetë e nevojshme mbajtja e maskës në punë gjatë dimrit që vjen, mbetet të shihet, thotë eksperti. Por ai nuk ndan mendimin me njerëzit që kanë frikë se do të ketë një valë të re të infeksioneve në dimër, transmeton albinfo.ch. Përkundrazi: ai supozon se situata do të përmirësohet së shpejti, ka thënë Salathe për gazetat në fjalë.
Epidemiologu e sheh edhe zhvillimin aktual të vaksinave si shumë premtues. Në momentin vaksina të jetë në dispozicion ose një ilaç është funksional dhe shtrimet në spital janë nën kontroll, situata do të ndryshojë plotësisht. Atëherë COVID-19 do të bëhet një sëmundje e nivelit të gripit./Bota sot
Comments are closed for this post.