Eksperti i lartë për koronavirus në Suedi po kërkon që njerëzit të mos detyrohen të vendosin maska në publik, duke thënë se vendosja e tyre është ‘shumë e rrezikshme’, pasi që, siç shprehet ai, jep përshtypjen se është e sigurt të qëndrosh në turma të mëdha.

Anders Tegnell, kryesor epidemiolog në Agjencinë e Shëndetit Publik Suedez, ka shprehur skepticizmin e tij kundrejt idesë se maskat mund të parandalojnë transmetimin e koronavirusit, shkruajnë mediet britanike.

Eksperti i sëmundjeve infektive, i cili nuk ndoqi këshillat e OBSH-së për t’u izoluar në mars, gjithashtu theksoi se vendet që bënë obligative vënien e maskave, si Belgjika dhe Spanja, ende po përjetonin rritje të rasteve me Covid-19.

“Është mjaft e rrezikshme të besohet se maskat mund të sjellin ndonjë ndryshim, për sa i përket parandalimit të transmetimit të Covid-19”, u shpreh Dr. Tegnell për Financial Times.

“Të mendohet se vendosja e maskave mund t’iu mbrojë në ambiente të mbyllura është gabim i madh”, u shpreh tutje ai.

Dr. Tegnell më herët largoi nga tryeza idenë e bërjes obligative të maskave ndaj qytetarëve suedez, duke iu referuar dëshmive për efektivitetin e mjeteve mbrojtëse të apostrofuara si “jashtëzakonisht të dobëta”.

Suedia, e cila është dalluar në mesin e vendeve evropiane për qasjen e saj për luftimin e pandemisë, regjistroi raportin më të lartë të vdekjeve në gjysmën e parë të vitit 2020 për 150 vitet e fundit, tha Zyra e Statistikave të mërkurën.