Miliona persona në Londër, Eseks, Jork dhe zona tjera përballen me kategorinë e dytë të masave kufizuese kundër koronavirusit nga dita e shtunë, ka thënë Sekretari britanik për Shëndetësi, Matt Hancock.
Kjo nënkupton që më shumë se gjysma e popullsisë së Anglisë do të jetojë me kufizime tejet të rrepta, me qëllim të parandalimit të sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.
Kategoria e dytë e masave kufizuese parasheh ndalesë të takimeve brenda ambienteve shtëpiake, duke përfshirë baret dhe restorantet.
Ndërkohë autoritetet janë duke shqyrtuar mundësitë që edhe zona e Mançesterit të shtrëngojë masat.
Teksa ka bërë të ditur vendimin, Sekretari i Shëndetësisë, ka thënë se “gjërat do të bëhen më keq, para se të bëhen më mirë”.
“E di se këto masa nuk janë të lehta mirëpo po ashtu e di që janë vitale”, u ka thënë Hancock ligjvënësve.
“Të përgjigjurit ndaj kësaj pandemie të pashembullt kërkon zgjidhje të vështira, disa prej zgjidhjeve më të vështira që ndonjë qeveri ka marrë në kohë paqeje”.
Kryetari i Londrës, Sadiq Khan ka thënë se “nuk ka mundësi tjetër” për kufizimet e reja.
“Askush nuk dëshiron më shumë kufizime mirëpo kjo ka dalë të jetë e domosdoshme, në mënyrë që të mbrohen banorët e Londrës”, ka deklaruar ai.
Ai po ashtu ka deklaruar se po vazhdon t’i bëjë presion qeverisë për më shumë përkrahje financiare, duke shtuar se “ne kemi një dimër të vështirë përpara”./ REL
Comments are closed for this post.