Ka shumë mite për terapinë me hormone, por si qëndron e vërteta dhe çfarë nuk duhet të marrim parasysh? Pas studimeve dhe hulumtimeve të fundit të ekspertëve, po ju sjellim fakte të bazuara në dëshmi, kështu që mund të bëni zgjedhjen e duhur për veten.
Një mikesha ime në të dyzetat, më tregoi mes lotësh se martesa e saj po dështonte, sepse ajo ishte bërë e pasigurt, kishte shumë ankth dhe i shoqi nuk po e përballonte dot atë situatë. Shpeshherë, gjatë ndonjë mbledhjeje të rëndësishme në punë i ndodhte të kishte boshllëqe kujtese dhe niveli i ankthit kishte arritur majat, aq sa nuk i jepte dot më makinës. Gjithashtu ishte rënduar nga ana fizike: i dhembnin kyçet, migrena qe përkeqësuar si dhe kishte shtuar shumë në peshë, pasi nuk kishte më dëshirë, energji dhe motivim për të kryer asnjë aktivitet fizik. Pas vizitës mjekësore, gjinekologia i kishte thënë se po kalonte një fazë paramenopauze dhe i kishte këshilluar trajtimin me hormone. Mirëpo ajo nuk e kishte pranuar atë trajtim dhe kishte zgjedhur të duronte të gjitha pasojat.
Në fakt, refuzimi i saj për trajtimin me hormone nuk është i pazakontë, pasi grate e moshës së mesme kanë dëgjuar shumë histori dhe nuk është për t’u habitur që janë aq skeptike. Frika dhe pasiguria erdhën si pasojë e një studimi në vitin 2002, i cili ngriti shqetësime se kjo lloj terapie lidhet me rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit dhe atakut kardiak. Titujt e frikshëm në shtyp paten një efekt të menjëhershëm pasi 50 deri në 70 për qind e femrave e ndërprenë terapinë me hormone që nga publikimi i rezultateve të këtij studimi. Hulumtimi i asaj kohe është hedhur poshtë si pasojë e mangësive dhe të metave që kishte, por publikimi i tij ka lënë pasoja edhe sot e kësaj dite dhe është për të ardhur keq se si shumë femra vuajnë më kot, vetëm për shkak të këtij gabimi.
Çfarë është konkretisht trajtimi me hormone?
Hormonet suplementare janë medikamente të cilat merren për të zëvendësuar atë që trupi nuk e prodhon më pas menopauzës. Pjesa më e madhe e femrave marrin një kombinim të estrogjenit dhe progresteronit, niveli i të cilave bie ndjeshëm gjatë menopauzës. Nëse i jeni nënshtruar ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale, mund të merrni estrogjen më vete, por ai mund të rrisë rrezikun e prekjes nga kanceri në mitër, kurse progresteroni është provuar që e ul këtë rrezik. Trajtimi hormonal mund të merret në formë pilule, kapsule ose në trajtë xheli. Nëse keni simptomat e paramenopauzës, por cikli vazhdon t’ju vijë çdo muaj, mjeku do t’ju rekomandojë trajtimin hormonal me doza specifike për çdo ditë, kështu që do ta kuptoni kur cikli do të ndalet natyrshëm.
A e rrit rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit trajtimi me hormone?
Edhe pse nga studimet e mëparshme rezultoi se trajtimi me hormone ishte i shëndetshëm, në vitin 2002 studimet e Shoqatës për Shëndetin e Gruas treguan se ky lloj trajtimi rriste rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit. Në këtë pikë, doktor Bluming nxori rezultatet e disa studimeve, nga të cilat rezultonte se prej 10 000 grave të trajtuara me hormone gjatë një viti, vetëm 8 prej tyre u prekën nga kanceri i gjirit. Studimi i tij ishte bazuar te gratë gjenetikisht të predispozuara ndaj kancerit të gjirit, të cilat kishin hequr vezoret para menopauzës, duke ulur kështu me 50 për qind rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit gjatë kohës që nuk ishin më të ekspozuara ndaj estrogjenit (i cili prodhohet nga vezoret). Por kur të njëjtat gra u trajtuan me estrogjen, pas heqjes së vezoreve, ato ishin të parrezikuara nga kanceri i gjirit. Me fjalë të tjera, nuk duhet fajësuar estrogjeni. “Për shumicën e grave nën moshën 60-vjeçare dhe për disa të tjera pas kësaj moshe, përfitimet janë më të mëdha se rreziku”, – thotë dr. Heather Currie, gjinekologe dhe themeluese e Shoqatës për Menopauzën. Përdorimi afatgjatë i një lloji të caktuar të trajtimit hormonal pas moshës 50-vjeçare, shfaq një rrezik të vogël për prekjen nga kanceri i gjirit. I njëjti rrezik ekziston edhe për personat obese apo ata që konsumojnë dy njësi alkooli në ditë.
A ka përfitime të tjera shëndetësore trajtimi hormonal?
“Po, sepse së pari lehtëson simptomat shqetësuese të menopauzës, siç janë afshet, thatësia vaginale dhe ankthi, të cilat mund të ndikojnë shumë në cilësinë e jetës suaj, – thotë dr. Currie. – Gjithashtu, mund të ketë përfitime afatgjata shëndetësore”. Nga ana tjetër, doktor Bluming thekson se trajtimi hormonal është i vetmi ilaç i provuar, i cili ndihmon në uljen 45-60 për qind të rrezikut të prekjes nga demenca. Është konstatuar prej kohësh që trajtimi hormonal mbron kockat, pasi gjatë pesë viteve të para pas menopauzës gratë humbin deri në 20 për qind të dendësisë së kockave, gjë që rrit rrezikun e shfaqjes së osteoporozës dhe frakturave. Për këtë arsye udhëzuesit e NICE rekomandojnë trajtimin hormonal për çdo femër që kalon në paramenopuazë ose para se të mbushë 45 vjeç.
A do të kem ende simptoma të menopauzës nësendaloj trajtimin hormonal?
Disa gra kanë ende simptomat e menopauzës kur ndërpresin trajtimin hormonal, ndërsa disa të tjera jo. Çështja kryesore është se deri atëherë ju do të jeni në faza të ndryshme të jetës. Mund të filloni të përjetoni simptoma të paramenopauzës në të dyzetat, kur të jeni në kulmin e karrierës, të keni adoleshentë në shtëpi ose edhe fëmijë të vegjël, nëse keni lindur vonë. Mund të jeni lidhur përsëri pas një divorci, apo të filloni disa projekte të reja. Ankthi dhe afshet e nxehta, ndryshimet e humorit dhe dhimbjet e kyçeve ndikojnë shumë në cilësinë e jetës në këtë moshë.
Megjithatë nëse i eliminoni këto simptoma me trajtimin hormonal derisa të jeni 60 vjeçe, do ta kaloni më qetë këtë fazë edhe nëse simptomat kthehen.
Nuk më pëlqen ideja e menopauzës – a është menopauza një pjesë e natyrshme e jetës?
Është shumë e rëndësishme të kujtojmë se jeta e paraardhësve tanë të hershëm zgjaste deri para ose menjëherë pas menopauzës. Tani, për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, ne e kalojmë një të tretën ose thuajse gjysmën e jetës në mungesë të estrogjenit. Doktor Bluming dhe doktor Carol Tavris, psikologë socialë, theksojnë se niveli i estrogjenit pas menopauzës bie vetëm me 1 për qind, por ndikon në gjumë, humor, në pamjen e lëkurës si dhe deri në dendësinë e kockave. Sigurisht, jo çdo grua ka probleme gjatë kalimit të menopauzës, por është e rëndësishme që të keni një informacion të plotë, që të merrni vendimet e duhura.
Mund të provoj hormonet bioidentike, nëse dëshiroj diçka më natyrale?
Ka shumë keqkuptime rreth hormoneve bioidentike, edhe pse ato janë bimore, por edhe rezultatet në fund janë pak më ndryshe nga ato të trajtimeve të zakonshme hormonale. Disa gra preferojnë hormonet bioidentike, sepse mund t’u përshtaten më mirë, por aktualisht nuk ka prova se ka ndonjë avantazh për këtë lloj trajtimi. Duhet të konsultoheni me mjekun për t’u njohur me llojet e ndryshme të trajtimit hormonal, siç është Premarin, me bazë urinën e pelës barsë. Nëse jeni vegane mund të mos doni ta përdorni këtë trajtim. Për fat, ka forma alternative të trajtimit me hormone, ndaj duhet të bisedoni me mjekun. Nëse jeni kundër trajtimit me hormone, ka shumë mënyra të tjera për të menaxhuar ose lehtësuar simptomat me anë të bimëve dhe ushqimit.
A e dini se?
Gratë humbin 20 për qind të densitetit kockor gjatë pesë viteve të para pas menopauzës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shfaqjen e osteoporozës dhe frakturës së kockave.
Po rreziku për sëmundjet e zemrës dhe atakun kardiak
Edhe ky përfundim erdhi si rezultat i publikimit të këtij studimi nga Shoqata për Shëndetin e Gruas. Krahas moshës së grave që morën pjesë në hulumtim, shumë prej tyre kishin faktorë të mëparshëm të rrezikut të zemrës. Sipas Fondacionit Britanik të Zemrës, hulumtimet e fundit tregojnë se te gratë të cilat trajtohen me hormone, nuk ekziston rreziku i vdekjes nga ataku kardiak ose goditja në tru, në krahasim me ato që nuk i nënshtrohen këtij trajtimi. Në fakt, disa kërkime, duke përfshirë një studim danez të botuar në revistën mjekësore britanike, zbuluan se jo vetëm që nuk ekziston rreziku i një ataku kardiak, por në fakt ky trajtim mund të ketë efekt mbrojtës në shëndetin kardiovaskular, nëse nis menjëherë pas menopauzës. Si çdo ilaç, edhe marrja e estrogjenit nuk është krejt pa rrezik; ai mund të shkaktojë mpiksje në gjak, që mund të bllokojë arteriet që tashmë janë ngushtuar. Ndaj, mjeku duhet t’ju vërë në dukje nga se rrezikoheni ju personalisht.
Comments are closed for this post.