Artistja shqiptare me fame botërore, Dua Lipa, ka shkruar historinë duke u bërë shqiptarja e parë që shpërblehet me dy çmime “Grammy”. Mbrëmja më e madhe muzikore e vitit e ka shpallur atë fituese në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike”, për këngën e saj të suksesshme “Electricity”, në bashkëpunim me Mark Ronson dhe Diplo.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë Akademia e regjistrimeve “Grammy”, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Dua Lipa, Diplo dhe Mark Ronson kanë lënë prapa këngët “Northern Soul” nga Above & Beyond dhe Richard Bedford, “Ultimatum” nga Disclosure dhe Fatoumata Diawara, “Losing It” nga Fisher dhe “Ghost Voices” nga Virtual Self.

Por, bukuroshja jonë nuk u ndal me kaq pasi ka fituar edhe çmimin e dytë prestigjioz “Grammy” në kategorinë Artisti i ri më i mirë. Ky është çmimi i dytë “Grammy” në karrierën e këngëtares 23-vjeçare.

Pak para se të paraqitje në tapetin e kuq të eventit, këngëtarja shqiptare është njoftuar se ka fituar këtë çmim, ndërsa gëzimin e ka ndarë me fansat përmes një videoje në rrjetin social Instagram.

“Jeta është vërtetë e çmendur tani. Kaq krenare që kënga jonë fitoi çmimin ‘Grammy’. Shihemi së shpejti në tapetin e kuq”, ka shkruar Lipa në Instagram.

Dhe në 62-vjetorin e kësaj ngjarje të madhe muzikore janë nominuar për herë të parë 21 artistë apo grupe, kurse mbrëmja do të moderohet nga Alicia Keys.

Dua Lipa ka qenë femra e dytë më e dëgjuar në vitin 2018 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e para në Mbretërinë e Bashkuar. Albumi që mban emrin e saj e që udhëhiqet nga hitet “Neë Rules” dhe “IDGAF,  ka qenë albumi i katërt më i dëgjuar në Spotify në SHBA në vitin e kaluar.

Karriera e saj ka nisur që në moshë të re dhe ngjashëm sikur Justin Bieber, Shawn Mendes e shumtë të tjerë – duke publikuar në YouTube versione të saj të këngëve të popullarizuara (që njihen si ‘cover’) – shkruan Vanity Fair.

Pos muzikës, ajo është shndërruar edhe në një yll stili duke zbukuruar ballinat e revistave të popullarizuara. Një prej tyre ka qenë edhe versioni britanik i Vogue. Ndërkaq, me postimin e fotografive nga evenimentet e ndryshme, në profilin e saj në Instagram ka arritur afro 26 milionë ndjekës.

Ajo ka kënduar vitin e kaluar në Kosovë, në kuadër të Festivalit “Sunny Hill”, duke falënderuar vendin e saj për përkrahjen në fillimet e saj ndërsa ka premtuar se do të kthehet përsëri në koncerte të tjera/Express/