Dialogu Kosovë – Serbi është i ngrirë për tash e 6 muaj që kur është vendosur taksa 100 për qind për mallrat serbe.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Qeveria e Kosovës heqjen ose pezullimin e taksës, por kjo nuk ndodhi.
Serbia, kusht për vazhdimin e dialogut e ka vendosur heqjen e taksës, ndërsa në anën tjetër, kushti për heqjen e taksës i vendosur nga Qeveria e Kosovës është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.
Çështja e pazgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë është temë e përditshme nëpër mediet e rajonit dhe duke pasur parasysh zhvillimet shumë analistë e shohin një zgjidhje të mundshme shumë larg.
Por, çfarë mendojnë qytetarët serbë për një zgjidhje të mundshme të problemit midis dy vendeve?
Gazeta serbe ‘Danas’ ka organizuar një sondazh ‘online’ në ueb-faqen e saj duke pyetur qytetarët serbë se çfarë mendojnë se cila do të jetë marrëveshja përfundimtare midis dy shteteve?
‘Danas’ ka listuar tri propozime si mundësi të finalizimit të marrëveshjes midis dy vendeve.
1. Do të zgjidhet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia
2. Nuk do të zgjidhet, do të mbetet ‘status quo’
3. Do të zgjidhet me demarkacionin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë
Ky sondazh i filluar dje, deri më tani ka mbledhur saktësisht 679 votues, shumica e të cilëve mendojnë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, më saktë, 41 për qind e tyre.
37 për qind e serbëve që kanë votuar mendojnë se çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet fare, ndërsa 21 për qind besojnë në demarkimin e kufirit midis dy vendeve.
Vlen të theksohet fakti se presidenti i Serbisë Vuçiq është përballur edhe me protesta ku serbët e revoltuar akuzuan Vuçiqin se po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Comments are closed for this post.