Iniciativa për një njësi zgjedhore sot i ka dorëzuar dy propozime për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, kumtoi sot në një konferencë për shtyp në Kuvend deputetja, Liljana Popovska.

“Në propozimin e parë kërkuam që të bëhet ndryshimi nga gjashtë njësi zgjedhore në një njësi zgjedhore ndërsa në propozimin e dytë paraqitëm lista të hapura për zgjedhjet lokale, numër të barabartë të burrave dhe grave si në zgjedhjet lokale edhe në zgjedhjet parlamentare dhe mekanizëm për zgjedhje të përfaqësimit proporcional të këshilltarëve në listat”, kumtoi Popovska.

Ajo theksoi se Iniciativa për një njësi zgjedhore konsideron që me këto ndryshime vendi do të sigurojë një model më demokratik, gjë që nga njëra anë paraqet mundësi që të gjitha subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje dhe të zgjidhen si edhe votat e qytetarëve të mos dështojnë, por të shndërrohen në deputetë në Kuvend, dhe nga ana tjetër mundësi që qytetarët drejtpërdrejtë të prononcohen se kujt i japin përparësi në zgjedhjet lokale.

Në pyetjen rreth asaj nëse posedojnë mbështetje të mjaftueshme për t’u votuar propozimet në Kuvend, Popovska theksoi që kanë mbështetjen e mbi 61 deputetëve, nga LSDM-ja në pushtet si dhe nga subjekte politike të tjera.