Pa dyshim, më shumë se gjithçka, komentohet në mediet rozë jeta private e personazheve të famshme. Mirëpo, për disa prej tyre, çështjet e zemrës nuk shkuan dhe aq mirë këtë vit që po lëmë pas. Ndaj, News31 po ju risjell në kujtesë, ndarjet më të bujshme në showbizz-in shqiptarë.
Bora Zemani dhe Donald Veshaj
Historia e tyre ka patur ulje-ngritje dhe zhvillime të papritura gjatë gjithë vitit. Moderatorja dhe aktori i humorit, Donald Veshaj nisën të përfliteshin për një ndarje që në muajin prill. Shkak për këtë thuhej se ishte bërë xhelozia. Gjithçka ndryshoi në “Big Brother VIP”, me surprizën e Borës për Donaldin, dhe puthjen mes tyre, që u duk si një ribashkim. Mirëpo, të gjithë gabuam, pasi pak javë më vonë, aktori nisi një lidhje me këngëtaren Beatrix Ramosaj, duke mbyllur kështu historinë me moderatoren.
Jonida Maliqi dhe Romeo Veshaj
Ishte këngëtarja, ajo që gjatë një interviste, konfirmoi ndarjen nga aktori i humorit, megjithëse nuk dha një arsye konkrete.
“Ka qenë histori shumë e bukur dhe për sa kohë ishte e tillë e ndava me publikun. Vjen një moment gjithçka zbehet dhe nuk ka asnjë arsye konkrete, më besoni. Nuk doja ta thosha nga erdhi si erdhi, por ramë në konsensus”, tha ajo.
Loredana dhe Mozzik
Pak muaj më parë, përmes një postimi në rrjete sociale, Loredana konfirmoi ndarjen e shumë komentuar nga Mozzik. Ajo shkruante se ata janë të dy shumë kokëfortë dhe nuk mund të kenë një marrëdhënie të shëndetshme. Reperja zbuloi se pavarësisht problemeve të tyre, ata kanë përgatitur një album dhe do t’i jetë përjetë mirënjohëse Mozzikut sepse i ka falur dhuratën më të bukur në jetë, vajzën.
Semi Jaupaj dhe Bojken Lako
Bojken Lako dhe Semi Jaupaj i dhanë fund romancës 10 vjeçare në maj të këtij viti. Dy artistët nuk dhanë detaje rreth arsyes së divorcit, por pranuan se kanë mbetur miq shumë të mirë dhe se e respektojnë shumë njëri tjetrin edhe pas ndarjes, gjë që e tregoi edhe këngëtarja në “Big Brother VIP”.
Mira Konçi dhe Shpëtim Saraçi
Divorci më i bujshëm i këtij viti padyshim që është ai i kompozitorit Shpëtim Saraçi dhe këngëtares Mira Konçi. 25 vite martesë morën fund disa muaj më parë. Pas ndarjes Shpëtim Saraçi u kthye të jetojë në Shqipëri, ndërsa Mira Konçi vijon jetën në Amerikë me dy fëmijët e tyre.
Comments are closed for this post.