Të vdekurit nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan do të varrosen sot. Tragjedia e ndodhur herët në mëngjesin e së dielës, më 16 mars, vrau 59 persona. Prej tyre 43 janë nga Koçani, pesë persona nga Shkupi dhe Shtipi, tre nga Probishtipi, dy të vdekur nga Vinica dhe një person nga Strumica dhe 178 persona u plagosën.

Ceremonitë e varrimit do të bëhen në ora 11:00 në Shtip, në 12:00 në Koçan dhe në 13:00 në fshatin Obleshevë, ndërsa varrimi në vendet tjera ku ka të vdekur do të bëhet në orare të ndryshme.

Shtipi do t’i thotë lamtumirë pesë personave që humbën jetën nga zjarri në diskotekën në Koçan. Qytetarët do të mund t’i thonë lamtumirë Damjan Tanevskit dhe Filip Ivanovskit në Kishën Katedrale “Shën Nikolla”, Filip Stevanovskit dhe Aleksandar Kolarovit në Kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Novosellë të Shtipit dhe Aleksandar Efremovit në Kishën “Shën e Shenjtë” në Shtip.

Qytetarët e Probishtipit do t’i japin lamtumirën e fundit tre bashkëqytetarëve të tyre të vdekur në diskotekën “Puls” në Koçan. Në orën 11 do të prehet Toshe Todorovski, polic me nderime, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 13 në Varrezat e qytetit. Trupi i të ndjerit Matej Markovski do të vendoset në ora 13:00, ndërsa do të varroset në ora 15:00 në varrezat e qytetit në Probishtip. Ndërsa trupi i Nikolla Nasevskit do të ekspozohet në shtëpinë në fshatin Dobrevë, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 17:00.

Anëtarët e grupit ADN që humbën jetën nga zjarri do të varrosen sot në Shkup dhe Strumicë. Këngëtari i grupit, Andrej Gjorgjieski, do të varroset në varrezat e qytetit të Butelit, ndërsa anëtarja e grupit dhe profesoresha në Fakultetin e Muzikës , Sara Projkovska, në varrezat e Lisicë. Varrimi i muzikantit të ri nga Strumica, bateristi i grupit, Gjorgji Gjorgjiev, do të bëhet në varrezat e qytetit në Strumicë.

Kryepishkopi i Kishës Orthodhokse Stefani, bëri thirrje për unitet dhe lutje pas tragjedisë së tmerrshme në Koçan ku humbën jetën 59 të rinj të pafajshëm dhe mbi njëqind pësuan lëndime të rënda. Kohezioni dhe uniteti kombëtar, thekson Kryepeshkopi i Ohërit dhe Maqedonisë, janë më të dukshme dhe më të nevojshme në rrethana të tilla.

Qeveria dje ka ngarkuar institucionet shtetërore dhe ka rekomanduar që pushtetet lokale dhe punëdhënësit e sektorit privat t’i lirojnë të gjithë punëtorët në territorin e Koçanit nga puna dhe obligimet e punës.

Të gjithë të lënduarit në aksidentin e Koçanit po trajtohen në mënyrë adekuate dhe po marrin kujdes mjekësor të nivelit të lartë 24 orë në vend dhe në qendrat e specializuara mjekësore jashtë vendit. Nga gjithsej 178 të lënduar, siç njoftoi dje Ministria e Shëndetësisë, në institucionet publike shëndetësore në vend po trajtohen 64 pacientë, të cilët janë në gjendje relativisht stabile, 13 pacientë po trajtohen në institucionet shëndetësore private, dhe 101 pacientë po trajtohen në qendrat mjekësore të huaja.