Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori është rritur në 27.019, ndërsa numri i të plagosurve në 66.139.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se në 24 orët e fundit të paktën 118 palestinezë u vranë dhe 190 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, në ditën e 118-të të sulmit dhe pushtimit, ushtarët izraelitë goditën lagjet Al-Rimal dhe Tel al-Hawa në perëndim të qytetit të Gazës me sulme ajrore, zjarr artilerie dhe raketa.
Derisa dhjetëra palestinezë u vranë në sulmet e Izraelit, ambulancat dhe ekipet e ndihmës së parë nuk u lejuan të arrinin tek të plagosurit.
Gjithashtu, thuhet se trupat e 14 palestinezëve të nxjerrë nga rrënojat në rajone të ndryshme u sollën në spitalin Nasser në Khan Younis dhe se në 24 orët e fundit humbën jetën 34 persona, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Shumë palestinezë u vranë dhe u plagosën si pasojë e sulmeve të avionëve luftarakë izraelitë ndaj dy shtëpive në lagjen Ez-Zaitoun në juglindje të qytetit të Gazës.
Ushtria izraelite kreu sulm ajror në shtëpitë e familjeve “Abu Feyyad” në kampin Al-Jadid, në perëndim të kampit Nuseirat në pjesët qendrore të Rripit të Gazës dhe shtëpitë e familjes “Al-Bahisi” në qytetin Deir al-Balah.
Nga sulmi u tha se të paktën tre palestinezë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën.
Ushtarët izraelitë vazhduan të rrethojnë Qendrën Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe dhe spitalin “Amal”, të vendosura në lagjen Al-Amel të qytetit Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, në ditën e 11-të, ata goditën zonat përreth me zjarr artilerie.
Ushtria izraelite, e cila goditi nga deti pjesët perëndimore të Rripit të Gazës, zonat bregdetare të Gazës, rajonin qendror dhe qytetin Rafah, shënjestroi me avionë luftarakë edhe zonën kufitare egjiptiane të qytetit Rafah.
Autoritetet shëndetësore në Gaza raportuan se shumë njerëz janë ende nën rrënoja për shkak të shkatërrimeve të shkaktuara nga sulmet, si dhe vihet re se ekipet e mbrojtjes civile dhe të ndihmës mjekësore emergjente kanë vështirësi në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Comments are closed for this post.