Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, mori pjesë në një mëngjes pune të cilin e organizoi Shoqata e të Diplomuarve në Turqi dhe Ambasada e Turqisë në Shkup, raporton AA. Në mëngjesin e organizuar, krahas zëvendësshefit të Misionit të Ambasadës së Turqisë Lütfi Öztürk, morën pjesë edhe drejtues të institucioneve të Republikës së Turqisë në Maqedoni, siç është Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Instituti Junus Emre në Shkup, drejtori i Fondacionit Maarif, Halkbank Shkup, Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO) dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Në adresimin e tij mbi temën “Politika e jashtme maqedonase në kushte të ndryshimeve dinamike”, Dimitrov foli mbi marrëdhëniet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

“Në kohë kur nuk kishim shumë miq gjatë udhëtimit tonë prej pavarësisë në vitin 1991 e deri më sot, kemi pasur një mik i cili gjithmonë ka qenë pranë nesh, dhe kjo është Turqia”, tha Dimitrov.

Ai rikujtoi takimin me homologun e tij turk Mevlüt Çavusoğlu në Ankara në janar të këtij viti.

“Në konferencën për mediat pas takimit, thash diçka të cilën nuk mund ta them për asnjë vend tjetër. I pyetur për marrëdhëniet dypalëshe dhe për atë se çfarë është miqësia maqedonaso-turke, e përdora fjalën romantike. Kjo nuk është fjalë e zakonshme për mrrëdhëniet midis shteteve, megjithatë, në kontekstin e historisë së përbashkët dhe të ngjashmërive kulturore, ekziston një lidhje që me të vërtetë tejkalon politikat aktuale dhe partitë politike”, tha Dimitrov.

Ai shtoi më tej se anëtarësimi i vendit në NATO është një mesazh se vendi është këtu dhe do të jetë këtu në këto kufij dhe se është duke hyrë në sistemin e sigurisë kolektive i cili përfshin një miliard njerëz, ku është edhe Turqia vëllazërore.

Për sa i përket bashkëpunimit në lëmin e arsimit, Dimitrov tha se Maqedonia e Veriut është e ngadalshme te vizat për studentët nga Turqia, për të shtuar se nga maji i këtij viti ky problem do të tejkalohet pasi studentët do të mund të aplokojnë direkt për viza, ndërkohë që theksoi problemin ligjor në lidhje me njohjen reciproke të diplomave universitare.

Zëvendësshefi i Misionit në Ambasadën turke në Shkup, Lütfi Öztürk, në fjalimin e tij shprehu kënaqësinë që në ditët e para të punës, i është dhënë rast të njihet me këta studentë të diplomuar në Turqi.

“Respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi janë baza e marrëdhënieve dypalëshe me Turqinë, duke u bazuar në vëllazërinë, historinë dhe kulturën e përbashkët”, theksoi Öztürk.