“Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka kërkuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Përmes një letre zyrtare i ka bërë kërkesë presidentit Meta, ministrit Majko dhe KQZ që të sigurohet edhe vota e emigrantëve.
Ajo kërkon të jetë pjesë e konsultimeve në KQZ, si dhe të jetë monitoruese në zgjedhje.
‘’Përveç mundësimit të menjëhershëm të Votës, ne kërkojmë gjithashtu edhe përfaqësimin direkt të Diasporës në Parlamentin e ardhshëm, përfshirjen e Lëvizjes ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë‘ në procesin konsultativ të KQZ-së me grupet e interesit dhe të jemi pjesë monitoruese e procesit të regjistrimit, të votimit dhe numërimit të votës’’, thuhet në letër, njofton Ora Njuz.
“Ju rikujtojmë se mundësimi i këtij votimi ka qenë pjesë e premtimeve gjatë e pas fushatave elektorale dhe politika shqiptare ka pasur një kohë më se të mjaftueshme për ta bërë realitet votën e emigrantëve për zgjedhjet e 2021. Mosmbajtja e këtij premtimi nga ana e aktorëve të rëndësishëm politikë, vetëm se do të nxjerrë në pah mungesën e vullnetit të tyre për mundësimin e kësaj vote të rëndësishme dhe të pakompromentueshme nga asnjëra palë. Duke qenë se KQZ do të ketë një strukturë të re dhe kjo do të kërkojë kohën e vet, ne kërkojmë që vota e emigrantëve të jetë një nga çështjet kryesore të agjendës së këtij organizmi, që nga momenti i krijimit”, thuhet në letër.
Ata theksojnë se si Diasporë, vota e emigrantëve dhe siguria e saj, mbetet prioriteti numër një e në këtë kuadër, “vetë ofrojmë ekspertizën tonë për konsultim si grup interesi i prekur drejtpërdrejtë nga ky proces”.
Comments are closed for this post.