Deri në zgjedhje pozita ministrore e Punës dhe Politikës Sociale në Qeverinë teknike do të mbetet e zbrazët pasi VMRO-DPMNE deri në shpërndarjen e djeshme të Kuvendit nuk dha propozim të ri për këtë pozitë pas shkarkimit të ministres teknike, Rashella Mizrahi.
Lideri i VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski në konferencën për shtyp në selinë e partisë kumtoi se nuk do të propozojnë emër të ri pasi, siç tha, nuk dëshirojnë të marrin pjesë në lojërat e Zoran Zaevit dhe Oliver Spasovskit.
“Kjo ishte një procedurë në të cilën shërbëtori i Zaevit, Oliver Spasovski, në mënyrën në të cilën i shkeli të gjitha ligjet dhe marrëveshjet politike, tentoi ta fshehë momentin kur opinioni, ndërsa edhe deputetët dëgjonin se si gjegjësisht Zoran Zaev e kishte këshilluar Bojan Jovanovskin, si shpjegon se ka ditur për aktivitetin e Aleancës ndërkombëtare dhe se e ka ndihmuar punën e televizionit. Të gjithë këtë tentoi ta mbulojë me ndërrimin e ministres më të mirë në Qeveri, Rashella Mizrahi. Ne këtë akt nuk e pranojmë dhe nuk e kemi ndërmend të jemi pjesë e kësaj loje në të cilën skenaristi kryesor është Zoran Zaev, ndërsa përmbarues Spasovski”, tha Mickovski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
Pas shkarkimit të Mizrahit nga Kuvendi, kryeministri treknik, Oliver Spasovski i dërgoi kërkesë VMRO-DPMNE-së për të emëruar ministër të ri të Punës dhe Politikës Sociale, por deri në shpërndarjen e Kuvendit një propozim i tillë nuk erdhi nga partia opozitare.
Në situatë të tillë, me këtë resor deri në zgjedhje duhet të udhëheqë zëvendësministrja plotësuese Sanella Shkrelj, e cila vjen si propozim i LSDM-së, ndërsa pas zgjedhjeve e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, udhëheqjen me këtë resor duhet ta ndërmarrë zëvendësministri i rregullt në këtë Ministri, Gjonul Bajraktar.
Ministrja teknike, Rashela Mizrahi u shkarkua me propozimin e kryeministrit teknik, Oliver Spasovski për shkak të mosrespektimit të emrit kushtetues në paraqitjet publike, gjegjësisht për shkak të tabelës me emrin “Republika e Maqedonisë” para së cilës mbajti konferenca shtypi. Qeveria kumtoi se Mizrahi ka sjellë vendime për ndryshime në personel dhe autorizime edhe më 14 shkurt, ditën kur në Kuvend u ngrit procedurë për shkarkimin e saj nga funksioni ministër teknik i Punës dhe Politikës Sociale. Këto vendime u shfuqizuan në seancën e fundit të Qeverisë.
Comments are closed for this post.