Departamenti i Shtetit ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë veprime të premten në veri kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe për pasojë, sipas tyre, do të ketë pasoja në raportet mes të dyja vendeve. Departamenti i Shtetit ka thënë se veprimet e Kosovës për ta përshkallëzuar situatën në veri minojnë përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në reagimin e Departamentit të Shtetit.

Departamenti i Shteti i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe “të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.

Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.

Pas tensioneve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për masa të dhunshme në veri. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se këto aksione “të Qeverisë së Kosovës po përshkallëzojnë situatën në veri”.