Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur thellësisht të shqetësuara për pasojat e mundshme që ligji i propozuar për agjentët e huaj mund t’i shkaktojë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, përfshirë lirisë së shprehjes në Malin e Zi.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ligji mund të kufizojë aktivitetet e shoqërisë civile.
“Një ligj i tillë mund ta kufizojë hapësirën për veprime civile, mund t’i stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile që angazhohen për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Malit të Zi, dhe mund të pengojë punën kritike të mediave të pavarura të cilat raportojnë duke u bazuar në fakte. Këto elemente janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjitha institucionet dhe sistemet demokratike”.
Koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” tha të mërkurën se e konsideronte të nevojshëm propozimin urgjent të një ligji për agjentët e ndikimit të huaj në Malin e Zi. Një ligj i tillë, sipas këtij koalicioni, do të rregullonte “funksionimin e agjencive të huaja që, nën petkun e organizatave joqeveritare, përpiqen të ndikojnë në politikën e brendshme dhe atë të jashtme”.
Koalicioni përbëhet nga partitë proruse të ish-Frontit Demokratik – nga Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe nga Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit
Comments are closed for this post.