Nëse përjetoni në ndonjë moment ndjenjën e veçantë sikur e keni lexuar më parë atë që keni në duar, mos u shqetësoni. Ndoshta bëhet fjalë për një Déjà Vu. Déjà vu është ndjenja e veçantë që të krijon ndjesinë e diçkaje që e keni përjetuar më parë, ndërsa në të njëjtën kohë e dini që kjo gjë nuk është e vërtetë.

Ju vizitoni për herë të parë apartamentin e një miku tuaj, dhe keni ndjesinë e fortë se keni qenë atje më parë, por nuk mund të jetë kështu. Pasi kjo është hera e parë që ju e vizitoni këtë qytet. Megjithatë, ndjenja mund të jetë aq e fortë – dhe aq e vërtetë – saqë thuajse e dini se çfarë do të gjeni kur të hyni në kuzhinë.

Ekspertët vlerësojnë se afërsisht 2 në 3 persona e kanë përjetuar të paktën një herë një përvojë të tillë. Termi francez Déjà Vu, që përkthehet “i parë tashmë”, u shpik në vitin 1876 nga filozofi dhe psikiatri francez Emil Buarak.

Por njerëzit e kishin përjetuar një përvojë të tillë shumë kohë para se ajo të kishte një emër. Përgjatë shekujve, njerëzit e cilësonin Déjà Vu si dëshmi të asaj që e besonin tashmë. Sigmund Frojd analizoi Déjà Vu dhe pa tek ajo dëshirat e ndrydhura të njerëzve.

Ndërkohë Karl Jung mendoi se përvoja lidhej me pavetëdijen kolektive. Platoni përshkroi diçka të ngjashme me Déjà Vu si dëshmi të jetës së mëparshme. Dhe sigurisht, ekziston edhe ideja moderne e përshkruar nga Hollivudi në filmin e famshëm “Matrix”. Nuk është e vështirë të kuptohet pse Déjà Vu mori reputacionin e të qenit një dukuri e mbinatyrshme.

Në vitin 2003, psikologu Alan Braun publikoi një studim në revistën “Psychological Bulletin”, që rishikonte ato që diheshin mbi Déjà Vu, dhe i lidhte ato informacione me paradigmat ekzistuese në psikologjinë konjitive dhe kërkimet mbi kujtesën.

Bazat e studimi të tij u përdorën nga komuniteti i ekspertëve për të studiuar mënga afër fenomenin në vitet që do të pasonin. Përveç lidhjeve me dukuri paranormale, Déjà Vu ka paraqitur një pengesë tjetër për studiuesit. Kjo përvojë zakonisht zgjat jo më shumë se disa sekonda, dhe nuk ka asnjë paralajmërim se kur do të ndodhë, gjë që e bën shumë të vështirë studimin. Shumë nga gjërat që dihen deri tani mbi Déjà Vu bazohen në sondazhe. Gjithsesi, studiuesit kanë dalë me mënyra të reja për ta studiuar atë në natyrë. Në vitin 2006, një ekip në Angli hipnotizoi disa vullnetarë për të nxitur tek ata fenomenin Déjà Vu.

AnaKlearli, profesoreshë e psikologjisë njohëse dhe studiuese e kujtesës në Universitetin Shtetëror të Kolorados, SHBA,përdori realitetin virtual për të shkaktuar një Déjà Vu. Ajo dhe ekipi i saj morën tema nga një seri skenash në videolojën Sims, të dizajnuara me kujdes në mënyrë që paraqitja hapësinore e një skene të ishte e ngjashme me një tjetër, edhe pse imazhet aktuale ishin krejt të ndryshme.

Subjektet në eksperiment përjetuan Déjà Vu, kur një skenë ishte e ngjashme me atë që kishin parë më parë, duke treguar se një ngjashmëri në paraqitjen hapësinore midis dy vendeve mund të çojë në një ndjenjë familjariteti të ngjashme me Déjà Vu në një vend të ri.

Kur hulumtimi mbi këtë dukuri u mor seriozisht, nisën të shfaqen shumë teori mbi atë që ndodh në tru gjatë një përvoje të tillë. Një hipotezë është se Déjà Vu, është një problem me kujtesën. Pra është një situatë ku keni përjetuar diçka, por nuk mund ta kujtoni atë me vetëdije.

Kur hasni diçka të ngjashme, ju shihni familjaritetin më të, por nuk mund ta kujtoni si gjërat e tjera. Pra, në skenarin në banesën e mikut tuaj, hapësira duket shumë e njohur pasi keni qenë më parë në një apartament shumë të ngjashëm; por thjesht nuk e mbani mend.

Kjo pikëpamje mbështetet edhe nga eksperimentet e Ana Klearli. Në rastin e hulumtimit të saj, është ngjashmëria hapësinore, dhe jo ndonjë detaj specifik, ajo që shkakton ndjenjën e familjaritetit. Një teori tjetër popullore, është se Déjà Vu shkaktohet nga një mospërputhje apo nga një ndërprerje e kohës në rrjedhën tuaj të vazhdueshme të përpunimit të një situate aktuale.

Imagjinoni sikur po ecni në rrugë dhe kaloni pranë një kafeneje të re. Ju i hidhni një vështrim asaj, por në atë moment ju mbërrin një mesazh në telefon, ndaj nuk e regjistruat plotësisht në kujtesë atë vend. Informacioni është përpunuar në një nivel të caktuar, por jo plotësisht. Kur ngrini sytë dhe shihni kafenenë, keni ndjenjën e çuditshme që e keni parë më parë. Dhe kjo gjë ka ndodhur, edhe pse nuk keni asnjë kujtesë të ndërgjegjshme për të.

Një teori tjetër është se Déjà Vu shkaktohet nga mjegullimet mendore të momentin. Thuhet se njerëzit që vuajnë nga epilepsia kanë përvoja të shpeshta të Déjà Vu. Ka të ngjarë që Déjà Vu tek njerëzit pa epilepsi, të shkaktohet nga një lloj aktiviteti i ngjashëm me krizat.

Kjo teori shpjegon edhe faktin që adoleshentët dhe të rriturit e rinj, përjetojnë më shpesh Déjà Vu sesa njerëzit e moshuar. Klearli thekson se këto nuk janë domosdoshmërisht teori konkurruese mes tyre. “Mund të ketë shumë arsye të ndryshme, dhe që të gjitha mund të jenë të vërteta se pse mund të ndodhë një Dejà Vu”- thotë ajo. /Bota.al/