Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, sonte në emisionin debatues “Programi 200” në Televizionin Alsat, tha se sot Qeveria i miratoi Ligjet për standardin e studentëve dhe të nxënësve, të cilat do të dorëzohen në Kuvend. Këto ndryshime ligjore janë të domosdoshme me qëllim që financiarisht të mbështeten studentët dhe nxënësit të cilët për shkak të protokolleve të forcuara shëndetësore nuk do të kenë mundësi të akomodohen në konviktet e studentëve dhe të nxënësve.

“Pas vendimit të Komisionit për Sëmundje Infektive, për hapjen e konvikteve të studentëve dhe të nxënësve, por me kapacitet të përgjysmuar, ne mbetemi me vendimin për t’i mbuluar me akomodim edhe të tjerët të cilët në rang-listë do të duhet të hyjnë në konviktet e studentëve dhe të nxënësve me mjete të caktuara financiare. Për këtë, na nevojiten ndryshimet ligjore,” tha Carovska.

Ministria e Arsimit i përgatiti protokollet e nevojshme, ndërsa në rrjedhë janë edhe përgatitjet e konvikteve për t’i pranuar studentët.