Dy anëtarë të Qeverisë dhe një këshilltar janë në vetizolim të detyrueshëm pasi kishin pasur kontakt me nënkryetarin e LSDM-së, Muhamed Zekiri i cili dje bëri të ditur se është pozitiv në Kovid-19. Krahas tyre, edhe kryetari i Çairit bëri të ditur se është në vetizolim pas kontaktit me një person pozitiv në virus.

Në vetizolim janë zëvendëskryeministrja për Çështje Ekonomike Milla Carovska, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski dhe këshilltari për marrëdhënie me publikun i kryetarit të Qeverisë, Marjan Zabërçanec.

Ata në profilet e tyre në Fejsbuk informuan se sipas rekomandimit të epidemiologëve janë në vetizolim të detyrueshëm pasi kishin pasur takime me Zekirin në të cilat ishin respektuar të gjitha masat parandaluese. Iu bënë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat parandaluese dhe ta kuptojnë seriozitetin e sëmundjes.

Carovska ka shkruar në profilin e saj në Fejsbuk, se tashmë ka bërë test që është negativ dhe se deri më tani nuk ka simptoma, por që sipas anketës epidemiologjike, ajo detyrimisht do të mbetet në vetizolim deri më 9 qershor.

Edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu iu bëri thirrje qytetarëve për kujdes, respektim të masave dhe trajtim serioz zë kësaj problematike sepse, siç tha, gjendja nuk është aspak e mirë dhe gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më keq.

“Do ta shfrytëzoj mundësinë përmes kësaj forme të komunikimit me ju, të ju informoj dhe të ndaj me ju shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet situata me virusin korona. Njëkohësisht dua të ju bëj me dije se këtyre ditëve kam pasur kontakt me person i cili ka rezultuar pozitiv ndaj testimit për Kovid-19, prandaj që nga ky moment do të qëndroj në vetizolim dhe do të veproj sipas protokolleve të institucioneve përkatëse shëndetësore”, shkroi Ganiu.