Pas takimeve të zhvilluara në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë ku ka folur për çështje të ndryshme, siç është integrimi në BE.
Rama përsëriti qëndrimin se nëse gjerat nuk do të ndryshojnë, atëherë vendi ynë do të ndërmarrë një kurs tjetër. Sipas Ramës, edhe Mali i Zi, shumë shpejt do t’i bashkohet Ballkanit të Hapur dhe kjo është vetëm çështje kohe.
Rama: Po e përsërisim që është shumë e qartë që për Shqipërinë opinioni është tejet pozitiv, ne presim një tjetër raport-progresi dhe jemi të bindur që do jetë edhe më pozitiv për shkak se shumë gjëra kanë ndodhur dhe janë të gjitha në drejtimin e duhur. Imazhi i Shqipërisë është komplet tjetër sot në çdo aspekt. Shqipëria konsiderohet një model për rajonin, jo vetëm këtu, por dhe në Hagë është shumë e qartë kjo gjë. Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë. Tani ne presim që edhe Mali i Zi t’i bashkohet, domethënë është çështje kohe, unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë përveçse tek kooperimi, tek bashkëpunimi, kështu që sigurisht që është humbje kohe patjetër për ata që ngurojnë apo refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur.
– Përpara darkës së mbrëmshme presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi për mediat e tij që e shoqëronin se Serbia do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin e Europës. Shqipëria ka një qëndrim në lidhje me këtë? Cila do të jetë vota e saj?
Edi Rama: Kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok. Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të patur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt. Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vet të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!
Comments are closed for this post.