Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi video takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Jakub Kulhánek informon Tetovasot. Takim i parë pas emërimit të Kulhánek kryediplomat i diplomacisë çeke. Me këtë rast, Osmani e uroi kolegun e tij dhe i dëshiroi sukses në kryerjen e këtij funksioni të përgjegjshëm shtetëror.
Ministrat shprehën kënaqësi nga intensifikimi i dukshëm i bashkëpunimit në shumë fusha të interesit të përbashkët: u bisedua për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik; ministrat shprehën kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes; për bashkëpunimin e suksesshëm dhe pjesëmarrjen çeke në mbrojtjen e kufirit tonë jugor nga migrimi ilegal; ndërsa Osmani shprehi falënderim për donacionet e deritanishme gjatë pandemisë Covid-19.
Osmani gjatë bisedës iu referua edhe procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe proceseve të brendshme politike të lidhura me agjendën tonë për reforma.
“Mbetemi të përkushtuar në agjendën për reforma, me fokus të veçantë në prioritetet evropiane. Vazhdojmë edhe me aktivitetet për avancimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, kuptohet me fokus te Bullgaria, përmes zbatimit të planit të veprimit për intensifikimin e bashkëpunimit sektorial dhe mënjanimin e dallimeve që krijojnë mosbesim politik”, theksoi Osmani duke shtuar më tutje se shpreson në vazhdimësinë e dialogut dhe Qeverinë e re në Sofje.
Bashkëbiseduesit shprehën pritje për miratimin sa më të shpejtë të Kornizën negociuese të Konferencës së parë ndërqeveritare për nisjen formale të bisedimeve për aderim, në qershor të këtij viti, gjatë periudhës së kryesimit portugez me BE-në.
Comments are closed for this post.