Ministri britanik për tregti të jashtme, Liam Fox, e nënshkroi këtë marrëveshje në Seul së bashki me homologen e tij nga Koreja Jugore, Yoo Myung-hee. Kjo është marrëveshja e parë e Britanisë së Madhe me një shtet aziatik për periudhën pas Brexitit.

Në këtë marrëveshje përfshihet importimi i veturave nga Koreja Jugore dhe i pjesëve të tyre. Koreja Jugore më së shumti në Britani shet vetura dhe anije, ndërsa blen derivate të papërpunuara, vetura dhe pije alkoolike.

Përmes nënshkrimit të këtij traktati synohet ruajtja e stabilitetit tregtar mes dy vendeve pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, i cili pritet të bëhet më 31 tetor të këtij viti.

“Vlera e tregtisë mes Britanisë së Madhe dhe Koresë Jugore është dyfishuar që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes mes Koresë dhe Bashkimit Evropian në vitin 2011”, tha ministri britanik, Liam Fox.

Të dyja vendet kanë deklaruar se synojnë ta ratifikojnë këtë marrëveshje në kuvendet e tyre në tetor dhe ta fillojnë zbatimin e saj në nëntor të këtij viti, shkruan “BBC”.