Njerëzit që jetojnë në Ballkanin Perëndimorë në mesatare humbin 1.3 vjet nga jeta e tyre për shkak të ajrit të ndotur ndërsa numri i përgjithshëm i personave me vdekje të hershme arrin deri në 5.000 në vit, në 19 qytete të rajonit.

Këtë e kumtoi sekretarja e përgjithshme e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Majlinda Bregu në opinionin me titullin “Ndryshimet klimatike nuk kanë nevojë për vizë Shengen”.

“Edicioni i fundit i hulumtimit tonë, Barometri ballkanik tregon se 84 për qind e qytetarëve të rajonit përjetojnë ndryshimin e klimës si problem. Nëntë nga 10 njerëz e konsiderojnë ndotjen e ajrit, problem në komunitetin e tyre. Sidoqoftë, 32 për qind e njerëzve thonë se nuk e shohin veten të gatshëm ose të aftë të ndjekin në mënyrë aktive për zgjedhjet e produkteve më miqësore me mjedisin në konsumin e tyre”, shkruan Bregu, duke shtuar se është zvogëluar dhe numri i kompanive që kanë ndërmarrë masa për zvogëlimin e dëmit rreth ambientit për 13 për qind, krahasuar me vitin 2017 dhe tani është 64 për qind të kompanive.

Bregu nënvizon që Shkupi, Sarajeva dhe Beogradi këto ditë janë në 10 vendet e para më të ndotura në botë, vitin e kaluar në atë listë ishin gjashtë qytete nga Ballkani Perëndimor dhe e gjithë kjo tregon se koha për veprim është e menjëhershme edhe përmes bashkëpunimit rajonal sidomos në këtë fushë.