Zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështjet e drejtësisë, Christian Wigand, ka bërë të ditur se Komisioni Evropian do t’u dërgojë një letër të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) për t’i këshilluar ata kundër mbylljes së kufijve për të ndaluar përhapjen e COVID-19.
Njoftimi erdhi një ditë pasi Gjermania mbylli kufijtë e saj me Republikën Çeke dhe rajonin Tyrol të Austrisë për të parandaluar përhapjen e llojeve të reja të koronavirusit, duke u lejuar hyrjen në vend vetëm kthimin e shtetasve gjermanë dhe punëtorëve thelbësore.
Ky veprim provokoi zemërim, veçanërisht midis punëtorëve ndërkufitare çekë të cilët nuk do të mundin më të shkojnë në punë ose të kthehen në shtëpitë e tyre për çdo ditë.
“Pa një qasje të koordinuar midis 27 vendeve anëtare, ne rrezikojmë ndarje dhe përçarje në lëvizjen e lirë”, tha Wigand, duke kujtuar se qeveritë kombëtare në muajin tetor ranë dakord për të përdorur të njëjtat parime gjatë imponimit të kufizimeve të udhëtimit.
Në janar, Komisioni Evropian propozoi një azhurnim të këtyre masave të koordinuara për të parandaluar përhapjen e llojeve të reja të koronavirusit.
“Komisioni Evropian do t’u dërgojë një letër të gjitha vendeve anëtare për t’u kujtuar atyre që të ndjekin udhëzimet e rëna dakord së bashku”, theksoi Wigand.
Ai po ashtu konfirmoi se ministrat e çështjeve të BE-së do të diskutojnë kufizimet e udhëtimit gjatë takimit të tyre të planifikuar më 23 mars.
Belgjika, vendi i parë që mbylli përsëri kufijtë në muajin janar, javën e kaluar zgjati deri më 1 prill ndalimin e udhëtimit për udhëtime jo-thelbësore.
Lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave është një nga parimet kryesore të BE-së.
Megjithatë, vendet anëtare mund të kufizojnë udhëtimet në mënyrë që të ruajnë shëndetin publik nëse vendosin masa proporcionale dhe të nevojshme.
Comments are closed for this post.