Deputetët europianë u shfaqën të gatshëm sot të rinegociojnë marrëdhënien e ardhshme me Britaninë e Madhe, pas fitores së kryeministrit Boris Johnson në zgjedhjet parlamentare, që i hapën rrugën realizimit të Brexit më 31 janar.
“I kemi përcaktuar pritshmëritë tona. BE është e gatshme për fazën tjetër. Ne do të rinegociojmë një marrëveshje tregtare që do të nivelojë fushën e lojës”, u shpreh presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, në ditën e dytë të samitit europian në Bruksel.
Europianët do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë integritetit të tregut të brendshëm dhe do të kujdesen që marrëdhënia e ardhshme të garantojë një lojë të barabartë ndërmjet dy palëve.
Boris Johnson është sot njeriu i fuqishëm i Britanisë së Madhe, pas triumfit të tij në zgjedhjet parlamentare, që i mundësojnë të mbajë premtimin e tij për ta nxjerrë vendin nga BE më 31 janar.
Liderët europianë do të udhëzojnë negociatorin e Komisionit Europian për Brexit-in, Michel Barnier, për të negociuar këtë marrëdhënie të ngushtë tregtare me Britaninë e Madhe.
Comments are closed for this post.