Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate për media, kanë theksuar që sundimi i ligjit, barazia para ligjit si dhe zbatimi i ligjit nga të giithë në mënyrë të përpiktë është parakusht për stabilitet shoqëror, integrim dhe zhvillim ekonomik, informon Zhurnal.

Nga BDI vlerësojnë se Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve, vendimet duhet t’i marin në përputhje me ligjin dhe në bazë të fakteve.

“Vlerësojmë se Këshilli gjyqësor, Këshilli i prokurorëve bashkë me gjykatës e prokuror si dhe të gjitha institucionet tjera dhe bartësit e funksioneve publike, vendimet e tyre duhet ti marrin vetëm e vetëm në përputhje me ligjin dhe duke u bazuar në fakte. Secili nga ne, politikan, gjykatës, prokuror, bartë përgjegjësi individuale për veprimet ose mosveprimet dhe vendimet e veta dhe askush s’do të jetë mbi ligjin”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Nga kjo parti distancohen nga çfarëdo ndërhyrje në vendimet e institucioneve ligjvënëse dhe konsiderojnë që sundimi i ligjit do të sigurohet përmes një vetingu të mirëfilltë.

“Bashkimi Demokratik për Integrim distancohet nga çdo ndërhyrje politike në vendimet e institucioneve ligjzbatuese dhe konsideron që drejtësia joselektive dhe sundimi i drejtë i ligjit do të sigurohet nëpërmjet të vetingut të mirëfilltë dhe kjo paraqet prioritetin tonë absolut”, thuhet në komunikatën e sotme të BDI-së.