Bankat e Ballkanit Perëndimor përmes Bankës Botërore do të kryejnë modernizmin e shërbimeve dhe lehtësimin e pagesave gjatë kryerjes së pagesave ndërkombëtare, duke mundësuar edhe uljen e shpenzimeve.
“Me digjitalizimin e mëtejshëm dhe lidhjen e vendeve të rajonit në fushën e pagesave, do të punohet në lehtësimin e tregtisë ndërkufitare, rritjen e konkurrencës dhe uljen e kostove të pagesave ndërkombëtare, të cilat për momentin janë më të larta edhe deri në gjashtë herë në raport me vendet e BE-së”, njoftoi Banka Popullore e Maqedonisë.
Këto ndryshime janë pjesë e projektit të Bankës Botërore “Modernizimi i pagesave në Ballkanin Perëndimor”, projekt ku marrin pjesë bankat e rajonit, ndërsa mbështetet edhe nga Komisioni Evropian, CEFTA dhe Këshilli rajonal për bashkëpunim.
“Projekti ka të bëjë edhe me përmirësimin e infrastrukturës së pagesave, pra vendosjen e pagesave të shpejta dhe arritjen e ndërveprueshmërisë. Pagesat e shpejta mundësojnë transmetim të menjëhershëm të fondeve 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit”, raportoi Banka.
Banka vlerësoi që digjitalizimi i tillë i pagesave do të sjell përfitime për qytetarët, kompanitë dhe ekonomitë.
“Ky projekt e forcon bashkëpunimin rajonal dhe nxit integrim më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA, që mund të çonte në më shumë përfitime për kompanitë dhe për qytetarët, më saktë, pagesa ndërkufitare, më të lira, më të shpejta dhe më të përshtatshme.” thekson drejtori i Drejtorisë së sistemeve të pagesave në Bankën Popullore, Igor Veliçkovski.
Në këtë projekt pritet të përfshihen edhe 1.9 milionë qytetarë nga Ballkani Perëndimor të cilët për momentin nuk kanë llogari pagesore. Përmes këtij projekti planifikohet zbatimi i zgjidhjeve të reja fintek në realizimin e pagesave.
Comments are closed for this post.