Ekonomia vendore mund të futet në fazën e stagflacionit, paralajmëron Banka Botërore. Në raportin vjeshtor, parashikohet rritje e vogël ekonomike në plan afatmesëm.
Kriza energjetike, inflacioni i lartë dhe lufta në Ukrainë, sipas Bankës Botërore, do të ndikojnë që rritja ekonomike të jetë vetëm 2.1% të Bruto Prodhimit Vendor në vitin 2022, 2.7% në vitin 2023 dhe 2.9% në vitin 2024.
Inflacioni në nivel rekord pritet të rritet edhe më tej brenda vitit, duke mbyllur vitin 2022 me 12.3% sipas Bankës Botërore. Në vitin 2023 parashikohet inflacion prej 5.9%, ndërsa në vitin 2024 inflacioni pritet të jetë 2.6%
Projeksioni Për Rritjen Ekonomike
VITI 2022 2023 2024
RRITJA EKONOMIKE 2.1% 2.7% 2.9%
INFLACIONI 12.3% 5.9% 2.6%
Banka Botërore rekomandon të zbatohen reformat, ndërsa përpjekjet politike të përqendrohen në rikthimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare.
“Me kanosjen e rrezikut të stagflacionit, shteti duhet të fillojë të zbatojë premtimet për reforma që mund të gjallërojnë momentumin e rritjes së mundshme në plan afatmesëm. Përpjekjet politike duhet të drejtohen drejt rivendosjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare, ndërkohë që ndërtohet elasticiteti social dhe klimë që do të zvogëlojë cenueshmërinë e vendit ndaj goditjeve dhe do të rindërtojë perspektivat e rritjes ekonomike në plan afatgjatë”, thonë nga Banka Botërore.
Ekonomistët theksojnë se ky është një raport serioz dhe duhet të merren parasysh të gjitha vërejtjet.
“Stagflacioni nënkupton stagnacionin ekonomik, domethënë zvogëlim të aktivitetit ekonomik, rënie ekonomike, rënie të aktivitetit ekonomik, plus kësaj nëse I shtojmë inflacionin dyshifrorë që e kemi tash, barazohet me stagflacionit. Ne nuk jemi ende në fazën e stagflacionit, jemi në recession, por nuk jemi në stagflacion, por të jemi të qartë, në raportin e bankës botërore sakt thuhet se mund të shkohet në një fazë të stagflacionit, kur kemi edhe resurse që kushtojnë shumë, kur forca e punëtorëve na mungon dhe të tjerë”, u shpreh Abil Baush, Ekonomist.
Baush tha se lidhur me këtë çështje më së shumti duhet të shqetësohen institucionet që e menaxhojnë situatën. Ekspertët rekomandojnë: kujdes me borxhin publik, kursime, kërkime për alternativa të energjisë elektrike. Ata rekomandojnë poashtu që shpenzimet në investime publike të jenë konkrete, të sakta dhe për to të kërkohen rezultate adekuate. /Alsat/
Comments are closed for this post.