Asnjë mpiksje gjaku nuk është raportuar me vaksinat kundër coronavirusit të bëra nga Moderna ose Pfizer, tha të premten një ekspert i Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, komiteti këshillues i CDC për Praktikat e Imunizimit po takohet për të diskutuar nëse do të ndryshojë udhëzimet për vaksinën Johnson & Johnson nga kompania Janssen.

CDC dhe Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA), rekomanduan pauzimin e përdorimit të kësaj vaksine pas gjashtë rasteve të raportuara te gratë që zhvilluan një sindromë të rrallë të mpiksjes së gjakut e njohur si tromboza me sindromën e trombocitopenisë ose TTS, pasi morën vaksinën Johnson & Johnson në SHBA.

Mirëpo, asnjë rast nuk ka qenë i lidhur ngushtë me vaksinat e tjera të përdorura në SHBA.

“Aktualisht, ka një mungesë të dëshmive të një lidhjeje midis vaksinave ‘mRNA COVID-19 dhe (trombozës së sinusit venoz cerebral) me trombocitopeni”, iu tha anëtarëve të grupit këshillues të vaksinave të CDC-s, Tom Shimabukuro nga CDC.

Vaksina e Johnson & Johnson, është dizajnuar duke përdorur një virus të zakonshëm të ftohjes i quajtur si adenovirus, derisa vaksinat Moderna dhe Pfizer bëhen duke përdorur një material të papërpunuar gjenetik i njohur si dërguesi RNA.