Arsenali ka rrëmbyer pikët e plota në Emirates, duke e mposhtur 2-0 Newcastle Unitedin për të rrëmbyer pozitën e tretë në renditjen e Premierligë. Me këtë fitore “Topçinjtë” e zbritën Manchester Unitedi në pozitën e pestë, në zonën Europa League.

Pa Granit Xhakën e lënduar, por me Shkodran Mustafin si titullar, Arsenali ka rrëmbyer pikët e plota në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 32 në Premierligë.

“Topçinjtë” e mundën 2-0 në shtëpi skuadrën e Newcastle United me nga një gol të shënuar në të dy pjesët.

Aaron Ramsey zhbllokoi rezultatin dhe shënoi për 1-0 në pjesën e parë, në minutën e 30’.

Kurse në pjesën e dytë, pas disa tentimeve, golin e gjeti edhe sulmuesi, Alexandre Lacazette, pas një asisti të bukur nga ana e Pierre-Emerick Aubameyang.

Sulmuesi francez shënoi një gol të bukur për rezultatin përfundimtar të takimit, 2-0, për t’ia siguruar tri pikët skuadrës së Unai Emery.

Me këtë fitore, Arsenali ka shkuar në kuotën e 63 pikëve, dy më shumë se Tottenhami dhe Manchester Unitedi, që ndajnë pozitat katër dhe pesë me nga 61 pikë, kurse pas tyre renditet Chelsea me 60.