Gjyqtarja Daniela Aleksova Stojanovska seanca gjyqësore për rastin “Talir 2” e ka shtyrë për më 15 tetor. Arsyeja e shtyrjes është rregullimi i autorizimit të akuzuarve.

Gjatë seancës së sotme avokatët e Nikolla Gruevskit dhe Kiril Bozhinovskit kërkuan që gjykimi të shtyhet. Një nga arsyeve për shtyrjen e seancës është se Bozhinovski kishte angazhuar gojarisht avokatin Sterjo Zikov, të cilit i duhej kohë për ta studiuar rastin. Pala mbrojtëse mes tjerash kërkuan anulim edhe për shkak të ndryshimit të numrit të rastit dhe ligjshmërinë së vendimit të prokurorit të shtetit Ljubomir Jovevski që kjo lëndë ti ndahet ish-prokurores së PSP-së, Lançe Ristoska.

Prokurorja Lençe Ristoska kërkoi që në seancën e radhës të jetë prezent edhe një përfaqësues i VMRO-DPMNE-së, për shkak se ka masa për sigurim të pronës.

Në rastin “Talir 2” të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Kiril Bozhinovski, të cilët me keqpërdorim të pozitës zyrtare, kanë mundësuar që personi juridik SHN Beton SHA Shkup ta ndërtojë selinë e partisë politike VMRO-DPMNE, edhe pse personi juridik në kohën e sigurimit të shërbimit ka lidhur marrëveshje për furnizime publike me organe shtetërore dhe institucione publike ose ndërmarrje në kundërshtim me Ligjin për partitë politike, Ligjin për financimin e partive politike dhe Ligjin për marrëdhënie obliguese.

Të akuzuarit në kundërshtim me rregullat ligjore kanë siguruar pasuri të konsiderueshme për partinë politike VMRO-DPMNE në vlerë prej 507.164.424 denarë, gjegjësisht 8.246.576 euro.