Derisa kosovarët vazhdojnë të konsumojnë shumë produkte të huaja, është ambasadorja finlandeze në Kosovë Pia Stjernvall, e cila kënaqet me ushqim natyral vendor siç është djathi i bardhë dhe ajvari.

Stjernvall në një intervistë për numrin festiv të gazetës “Zëri” ka rrëfyer që është e pakënaqur me ajrin e ndotur të Prishtinës dhe me mungesën e shtigjeve për çiklistë.

Ajo shpreh dëshirën që në Kosovë të ndryshojnë disa fenomene negative:

“Të jem e sinqertë, do të ndryshoja nga korrupsioni në transparencë, nga paragjykimet ndërmjet kosovarëve e serbëve në bashkekzistencë paqësore e marrëdhënie reciprokisht të dobishme dhe nga krimi i organizuar në sundimin e ligjit”.

Zëri: Ka kaluar një kohë prejse jeni duke jetuar në Prishtinë. A jeni ambientuar me ajrin e ndotur dhe si e shihni zgjidhjen e këtij problemi?

Stjernvall: Unë kam ardhur në Prishtinë në shkurt të vitit 2018, por ende nuk jam mësuar me ajrin e ndotur. Madje e shoh si një nga problemet më të mëdha, e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, por në të njëjtën kohë është një shqetësim për të tjerët dhe zvogëlon vullnetin e familjeve tona për të ardhur dhe për të jetuar këtu. Gjatë verës ajri është shumë i mirë dhe unë do të doja ta shihja Kosovën të lëvizte drejt energjisë së rinovueshme.