Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është përfshirë në një aksident automobilistik në Kiev.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i tij, Sergii Nykyforov, i cili tha se automjeti presidencial u përplas me një automjet privat, shkruan BBC.

“Presidenti është vizituar nga një mjek, nuk raportohet për lëndime të rënda. Mjekët që shoqëronin kreun e shtetit e shpëtuan shoferin e makinës private dhe e futën në ambulancë”, tha Nykyforov.

Aksidenti ndodhi pasi presidenti Zelensky, vizitoi të mërkurën qytetin e rimarrë të Izyum, një qendër kryesore logjistike në Ukrainën verilindore.

Ai falënderoi trupat që morën pjesë në një kundërsulm të shpejtë kundër pushtuesve rusë dhe mbikëqyri një ceremoni të ngritjes së flamurit.

Ditët e fundit, ushtria e Ukrainës ka rimarrë pjesë të territorit të pushtuar, duke i detyruar trupat ruse të tërhiqen.