Kryetari Stevo Pendarovski sot deklaroi se nga pozita në të cilën gjendet mund vetëm të mbështes nisma për ndryshime në Kodin Zgjedhor për të ulur numrin e njësive zgjedhore.

“Unë nga kjo pozitë në të cilën gjendem mund vetëm të përkrah nisma të kësaj natyre. Kuptohet se nuk mund të udhëheq proceset politike. Unë dhashë një deklaratë pasi që disa subjekte politike erdhën tek unë me këtë kërkesë, sepse më herë si kandidat në zgjedhjet e kaluara unë isha pro, edhe tani jam pro, megjiatë ato subjekte politike duhet ta çojnë punën më tutje”, tha Pendarovski.

Ai tha se nëse është e nevojshme pjesëmarrja apo mbështetja e tij, ai do të merrte pjesë dhe do të thoshte se çfarë mendon, që është për të mirën e përgjithshme të demokracisë.

“Megjithatë, nuk do të dëshiroja që nga pozita e kryetarit të udhëheq në atë proces politik, sepse mendoj se kjo çështje është çështje e partive politike”, tha Pendaroski pas vizitës së tij në kufirin jugor në Gjevgjeli.