Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka zbutur qëndrimet për kandidatin presidencial. Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, i cili dje tha se është i gatshëm të bashkojë forcat me të gjitha partitë politike për kandidat të përshtatshëm, Ahmeti thotë se bashkërisht kërkojnë shteg për të dalë me kandidat të përbashkët konsensual.

Kam bërë takime me kryetarin e partisë më të madhe në vend z. Zoran Zaev me çka e kemi analizuar të tërë situatën dhe ka mbetur që unë të diskutojë, ta hap si çështje në organet e partisë dhe të shihet mundësia e një shtegu për ti riparuar ato keqkuptime që kanë ndodhur në mes të partive tona, që të mund të kapërcehen. Dhe në të mirë të vendit do të ishte që të kishim një kandidat të përbashkët dhe të bisedohet me të gjitha subjektet politike në vend që ky konsensus të arrihet”, pohoi Ali Ahmet, kryetar i BDI-së.

Ahmeti ka shtuar se nëse do të tejkalohen keqkuptimet mes BDI dhe LSDM, atëherë do të diskutohet edhe për emrat e mundshëm për kandidat. Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev, shtoi se kongresin partiak e kanë më 3 mars dhe atëherë edhe do të vendosin për çështjen e kandidatit presidencial. Kurse Besa e Bilall Kasamit insiston në kandidat të përbashkët me Aleancën për Shqiptarët. Besa e Afrim Gashit akoma shqyrton modalitetet. I pyetur për zgjedhjet të parakohshme parlamentare, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti shtoi se nuk mendon që do të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij, shteti ka agjendë shumë më të rëndësishme. Për zgjedhje të parakohshme parlamentare, insistron VMRO-DPMNE. Nga partia e Mickovskit, tashmë kanë katër kandidatët partiak të cilët do të shqyrtohen nga organet e partisë. Pasi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferri, dje shpalli zgjedhjet presidenciale, fillojnë edhe afatet kushtetuese për mbajtjen e tyre. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj. Për këtë arsye, kandidatët duhet të dorëzohen në KSHZ, deri më 21 mars. Fushata parazgjedhore do të fillojë më 31 mars.