Sipas rezultateve të një rishikimi të urdhëruar nga Presidenti Joe Biden dhe të publikuar të premten, agjencitë amerikane të zbulimit mbeten të ndara në lidhje me origjinën e koronavirusit, por besojnë se udhëheqësit e Kinës nuk dinin për virusin para fillimit të pandemisë globale.

Sipas një përmbledhjeje të paklasifikuar, katër agjenci të komunitetit të inteligjencës amerikane thanë me një farë besimi se virusi fillimisht u transmetua nga një kafshë te një njeri. Një agjenci e pestë e inteligjencës ka besim të moderuar se infeksioni i parë njerëzor kishte ndodhur në një laborator. Analistët nuk besojnë se virusi është zhvilluar si një armë biologjike dhe shumica e agjencive besojnë se virusi nuk ishte i ndërtuar gjenetikisht.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tha në një deklaratë të premten se Kina vazhdon të pengojë hetimin global, i reziston ndarjes së informacionit dhe fajëson vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Për të arritur një përfundim në lidhje me atë që shkaktoi virusin kërkohet bashkëpunimi i Kinës, thuhet në deklaratën e kësaj zyre.

Shkaku i koronavirusit mbetet një shqetësim urgjent për shëndetin dhe sigurinë publike në të gjithë botën. Shumë konservatorë në Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar shkencëtarët kinezë për zhvillimin e koronavirusit që shkakton COVID-19 në një laborator dhe lejimin e daljes së tij nga laboratori. Zyrtarë të Departamentit të Shtetit nën ish Presidentin Donald Trump publikuan një fletë informacioni duke vënë në dukje hulumtimet e kryera mbi koronaviruset në Institutin e Virologjisë në Wuhan, në qytetin kinez ku ndodhi shpërthimi i parë i madh i njohur.

Konsensusi shkencor mbetet ai se virusi ka shumë të ngjarë të ketë migruar nga kafshët ,në atë që njihet si transmetim zoonotik. Të ashtuquajturat ngjarje të përhapjes ndodhin në natyrë, dhe ka të paktën dy koronaviruse që evoluan nga lakuriqët e natës dhe shkaktuan epidemi njerëzore, SARS1 dhe MERS.

“Bota meriton përgjigje”

Në një deklaratë, Presidenti Biden tha se Kina kishte penguar “që nga fillimi” përpjekjet për të hetuar virusin.

“Bota meriton përgjigje, dhe unë nuk do të pushoj derisa t’i marrim ato,” tha ai. “Vendet përgjegjëse nuk i shmangin dot këto lloj përgjegjësish ndaj pjesës tjetër të botës.”

Ministria e jashtme e Kinës sulmoi hetimin amerikan përpara publikimit të raportit. Fu Cong, drejtor i përgjithshëm i ministrisë së jashtme, tha në një konferencë për gazetarët e huaj se “fyerjet ndaj Kinës nuk mund të zbardhin SHBA-të”.

“Nëse ata duan të akuzojnë pa bazë Kinën, bëjnë mirë të jenë të përgatitur për të pranuar kundërsulm nga Kina,” tha ai.

Në maj, presidenti Biden urdhëroi një rishikim 90-ditor të asaj që Shtëpia e Bardhë tha se ishte një gjetje fillestare që çonte në “dy skenarë të mundshëm”-një transmetim nga kafshë te njeriu ose dalje e virusit nga laboratori. Shtëpia e Bardhë tha atëherë se dy agjenci në komunitetin e inteligjencës prej 18 agjencish anuan drejt hipotezës së një transmetimi në natyrë dhe një agjenci tjetër u prir drejt një daljeje nga laboratori.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të premten nuk identifikoi se cilat agjenci nuk mbështetën asnjërën nga hipotezat. Por ai vuri në dukje disa nga pengesat e njëjta me të cilat përballet Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shkencëtarët në të gjithë botën: mungesën e mostrave klinike dhe të dhënave nga rastet më të hershme të COVID-19.

Gjatë kryerjes së rishikimit, agjencitë e inteligjencës u konsultuan me vendet aleate dhe ekspertë jashtë qeverisë. Një epidemiolog u soll në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës të përbërë nga një grup ekspertësh të lartë që konsultohen me kreun e komunitetit të inteligjencës.