Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi ju bëri thirrje komunave që të organizojnë edukim të përkohshëm joformal online, derisa të normalizohet gjendja me coronavirusin.

“Ndalimi i procesit edukues-arsimor do të zgjasë më shumë se 14 ditë. Sipas ligjeve, posaçërisht sipas Ligji për arsim fillor, MASH dhe Byroja për zhvillim të arsimit mund të përgatisin programe të shkurtuara mësimore”, tha Ademi i cili shtoi se në një situatë të tillë nuk dihet se sa do të zgjasë kjo dhe se viti mësimor është prishur për shkak të pandemisë.

Sipas tij, ekzistojnë kapacitete përmes kanaleve të ndryshme shkollore dhe se këtë duhet ta bëjnë institucionet bashkërisht me komunat dhe shkolla.

“Kemi kapacitete si institucione dhe me seriozitet të madhe e ndjekim gjendjen. Ka plan konkret për arsimimin e fëmijëve, por duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet, duke përfshirë këtu edhe komunat, si dhe shkollat e mesme dhe fillore. Me ato jemi në komunikim të vazhdueshëm”, tha Ademi.