Deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski në një status në Facebook, ka shkruar se po lufton për reforma thelbësore në shërbimet e sigurisë edhe pse, siç thotë, mundësitë për një gjë të tillë janë minimale. Në deklaratën e dhënë në Kuvend, ajo tha se nuk pajtohen me ministrin Spasovski nuk duhet të transmetohet si revansh mes tyre por si debat demokratik për sjelljen e një ligji cilësor. Ajo thekson se nuk pajtohet me dispozitat e tekstit të ligjit që deputetët të marrin pjesë në përzgjedhjen e personave që nga DSK-ja do të punësohen në Agjencinë për siguri kombëtare, për shkak se ata kanë për detyrë që të kryejnë vetëm mbikëqyrje të punës.

“Një nga shtyllat e reformave është de-politizimi dhe de-partizimi. Ne jemi përfaqësues të partive politike në parlament dhe sigurisht nuk jemi të thirrur të marrim pjesë në një procedurë të tillë, e as nuk ka mundësi ligjore që të bëhet kjo. Në mënyrë shtesë, deputetët punojnë vetëm në bazë të ligjeve për Kuvend dhe ligjeve për deputet dhe Rregullores për punë të Kuvendit dhe nuk mund të punojnë sipas rregulloreve tjera, e as të sjellin vendime për çështje kadrovike në shërbime të tilla të sigurisë”, theksoi Frosina Remenski, nënkryetare e Kuvendit.

Të njëjtin mendim me Remenskin e ka edhe Muhamed Zekiri, i cili është një nga nënshkruesit e amendamenteve të parashtruara. Thotë se reformat nuk duhet të jenë sipërfaqësore por në mënyrë thelbësore duhet ndryshuar funksionimi i tyre. Sipas tij, me kërkesë të VMRO-DPMNE-së është sjellë vendim që partitë politike të marrin pjesë në përzgjedhjen e personave të DSK-së, që më pas do të punësohen në Agjenci. Do të përzgjidhen të punësuarit pa kriter dhe që nuk i përmbushin kushtet. Ka shumë kriminel në DSK nga koha e VMRO-DPMNE-së, si Ninxha dhe kompania e tij, andaj në vend që t’i përzënë, do të gjejnë vend për ta në administratë, thotë Zekiri.

“Amendamentet të cilat për fat të keq nuk u pranuan nga ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, për shkak të dallimeve konceptuale, gjegjësisht pak edhe shkaku i marrëveshjes që ishte arritur me opozitaren, VMRO DPMNE. Pavarësisht kësaj, për të themeluar shërbimin e ri, gjegjësisht, për të transformuar Drejtorin për Siguri dhe Kundërzbulim në Agjenci të Sigurisë Nacionale, nevojiten 80 vota. Por, në këtë rast nuk më habit asgjë tjetër përveçse inferioritetit të partive politike shqiptare të cilat ose nuk janë te interesuara ose nuk i kuptojnë gjerat sa i përket reformave në sektorin e sigurisë, gjegjësisht, shërbimet sekrete që në të kaluarën kanë qenë burim i pothuajse çdo të keqe që ka ardhur për shoqërinë në përgjithësi, por në veçanti për shqiptarët”, tha Muhamed Zekiri nga LSDM.

Nga gjithsej 91 amendamente, Remenski në seancën e djeshme të Komisionit, parashtroi rreth 40 amendamente për propozim ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare, ku nënshkrues është edhe Zekiri, por ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, refuzoi pjesën më të madhe të tyre./TV21