Cilat figura publike nga Maqedonia janë në Listën e zezë SHBA-ve

Lajme 13.12.2024 / 10:09

Trembëdhjetë individë të njohur nga vendi jonë ndodhen në të famëkeqen “Listë të zezë të Shteteve të Bashkuara”. Në fakt, nuk bëhet fjalë për një listë të vetme të zezë, por ekzistojnë disa lista të tilla të sanksioneve që SHBA i ka vendosur për individë dhe biznese të përfshira në korrupsion ose abuzime të të drejtave të njeriut, shkruan Meta.mk.

Në këto lista për shkak të akuzave për korrupsion dhe minim të proceseve demokratike për dekada të tëra bëjnë pjesë edhe disa persona nga vendi jonë, e në mesin e tyre ka politikanë, ish-kryeministra e ministra, kryetarë komunash, gjykatës. SHBA sanksionon individë të tillë si pjesë e përpjekjeve të saj për promovimin e llogaridhënies dhe për luftimin e korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Listat e sanksioneve administrohen nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (Office of Foreign Assets Control – OFAC) në kuadër të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara. Këto lista përdoren për zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe tregtare bazuar në qëllimet e politikës së jashtme të SHBA-ve dhe të sigurisë kombëtare.

Një nga listat kyçe është edhe Lista e Personave të Posaçëm të Përcaktuar dhe Bllokuar (Specially Designated Nationals – SDN list), e cila është më e famshmja dhe ku, në fakt, ndodhen shumica e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që janë nën sanksionet amerikane.

Kjo listë përmban individë dhe entitete, të cilëve u është kufizuar e drejta për të bërë biznes në Shtetet e Bashkuara për shkak të lidhjeve me terrorizmin, trafikimin e drogës ose abuzimet me të drejtat e njeriut. Personave që gjenden në këtë listë mund t’u bllokohen pronat, tu shqiptohet ndalesë për udhëtim në SHBA, ndërsa qytetarëve amerikanë u ndalohet të bëjnë biznes me ta.

Lista e sanksioneve sa i përket Ballkanit përfshin përcaktime sipas Urdhrit Ekzekutiv 13304, të lëshuar nga Presidenti i SHBA-ve, George W. Bush, më 29 maj të vitit 2003, si përgjigje ndaj paqëndrueshmërisë në Ballkan në atë kohë, sidomos pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990. Urdhri fillimisht ishte i orientuar drejt individëve dhe entiteteve të përfshira në pengimin e përpjekjeve për stabilizimin e rajonit pas luftërave.

Si vazhdim i urdhrit të vitit 2003, presidenti aktual i SHBA-ve, Joe Biden, më 8 qershor të vitit 2021 e lëshoi ​​Urdhrin Ekzekutiv 14033. Me këtë ai i zgjeroi përpjekjet e autoriteteve amerikane për ta targetuar korrupsionin dhe aktivitetet destabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si shkelja e të drejtave të njeriut, kërcënimet ndaj institucioneve demokratike, krimi i organizuar apo mosrespektimi i marrëveshjeve kyçe.

Cilët persona publik nga Maqedonia ndodhen në Listën e zezë?

Artan Grubi

Ish-zëvendëskryeministri dhe zyrtari i lartë i BDI-së, Artan Grubi, është ndër emrat nga Maqedonia që kohëve të fundit u bë pjesë e të ashtuquajturës “Lista e zezë” e Shteteve të Bashkuara.

Më 9 dhjetor të këtij viti nga Departamenti i Shtetit njoftuan se Grubi, së bashku me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, ishin përfshirë në këtë listë për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të konsiderueshëm përmes marrjes së ryshfetit për minimin e proceseve gjyqësore në lidhje me aktgjykimin penal të Sasho Mijallkovit, i cili gjithashtu ndodhet në këtë listë famëkeqe.

Arsyetimi i referohet procesit gjyqësor për lëndën “Target-Fortesa” të hapur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), e që ka të bëjë me përgjimet masive të paligjshme. Përndryshe në “Listën e zezë” ndodhet edhe ish-prokurorja speciale Katica Janeva.

Ambasadorja e SHBA-ve në vend, Angela Ageler, tha se për shkak të përpjekjeve të Grubit dhe Bexhetit për të ndërhyrë dhe çrregulluar funksionimin e gjyqësorit, atyre dhe familjarëve të tyre të afërt u ndalohet hyrja në SHBA.

“Ata që minojnë sundimin e ligjit për përfitime personale dhe në kurriz të njerëzve duhet ta kuptojnë se korrupsioni ka pasoja,” tha Ageler.

Ambasadorja nuk pranoi t’i komentojë detajet për përfshirjen e tyre në Listën e zezë, por tha se SHBA-të kanë dëshmi të fuqishme për përfshirjen e tyre në korrupsion.

“Dëshmitë që i shqyrtoi Uashingtoni, që ne i mblodhëm si këtu në këtë vend ashtu edhe në Uashington, ishin lehtësisht të disponueshme… Nëse ne mund t’i mbledhim ato prova, atëherë këtë mund ta bëjnë edhe ata [institucionet në Maqedoninë e Veriut],” tha Ageler.

E përderisa nga partia e Grubit, BDI-ja, vetëm shkurt njoftuan se e respektojnë vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nuk ndërmorën asnjë masë ndaj zyrtarit të tyre, Grubi e njoftoi vetë publikun se kishte vendosur të tërhiqej nga jeta publike.

“Edhe pse vendimi thekson se nuk është për dënim, por për të nxitur përmirësimin e sjelljes, unë para Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me qëllim që të kontribuoj për të vërtetën, të cilën siç mund të shoh shumica prej jush tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike e askujt, vendosa të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti që në ditën e parë”, ka shpjeguar Grubi.

Artan Grubi në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Artan Grubi në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Enver Bexheti

Bashkë me Artan Grubin në listën e të padëshiruarve u gjend edhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti.

Bexheti e tërhoqi vëmendjen e publikut kur Këshilli Gjyqësor në nëntor të vitit të kaluar konstatoi se ai e kishte mbajtur në sirtar për nëntë muaj lëndën “Target-Fortesa”, në të cilën i akuzuari i parë ishte Sasho Mijallkovi.

Këshilli atëkohë konstatoi se nuk kishte arsye të justifikuara se pse lënda për përgjimet masive nuk u vendos për vendimmarrje plot nëntë muaj, me çka u krijuan kushte që kjo lëndë të vjetërsohet dhe të mbyllet.

Për këtë gjë Bexheti u gjobit me 20 përqind të pagës së tij për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Lista e zezë në të cilën u gjend edhe gjykatësi Bexheti shkaktoi shqetësim tek fella gjyqësore.

Nga Shoqata e Gjykatësve reaguan se futja në Listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të cilitdo gjykatësi është një goditje e rëndë për nderin dhe reputacionin e pushtetit gjyqësor. Ata bënë apel për një zgjidhje të shpejtë të rastit, për shkak të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit të fellës gjyqësore.

Pas thirrjes së Ageler drejtuar institucioneve të Maqedonisë që të ndërmarrin veprime pas përfshirjes së individëve të fundit në “Listën e zezë”, prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski njoftoi se ka hapur lëndë për sigurimin e dëshmive për përgjegjësi të mundshme penale për personat e vendosur në këtë listë.

Enver Bexheti në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Enver Bexheti në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Katica Janeva

Në mars të vitit 2024 në Listën e zezë amerikane u gjend edhe gruaja e parë dhe e vetme nga Maqedonia e Veriut – ish-prokurorja speciale Katica Janeva.

Për atë thuhet se ka keqpërdorur pozicionin e saj të pushtetit.

“Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë Janeva ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ekzistojnë informacione të besueshme se Janeva ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet për të ndikuar në prokurorinë nën juridiksionin e saj”, thuhet në njoftim.

Nga muaji korrik i vitit 2021 Janeva po vuan dënimin prej shtatë vjet burg për rastin “Reket”. Rastin e raportoi i dyshuari në lëndën “Perandoria” dhe i akuzuari në lëndën “Parcelat në Vodno”, biznesmeni Jordan Kamçev, i cili po ashtu ndodhet në Listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

Katica Janeva në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Katica Janeva në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Stevço Jakimovski

 Në të njëjtën kohë me Janevën, pra në mars të vitit 2024, në Listën e zezë u vendos edhe kryetari i Komunës së Karposhit dhe kandidati për president në zgjedhjet e mbajtura në prill dhe maj të këtij viti, Stevço Jakimovski.

Për të thuhet se si kryetar i Komunës së Karposhit ka qenë i përfshirë në akte korruptive, përfshirë këtu përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në planifikimin urban dhe prokurimet publike për përfitime personale dhe në dobi të bashkëpunëtorëve të tij.

Jakimovski ishte i akuzuari në disa lëndë gjyqësore, por gjykimet u ndërprenë për shkak të faljes për shkak të vjetrimit të veprës si pasojë e ndryshimeve në Kodin Penal që u bënë vitin e kaluar.

Stevço Jakimovski në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Stevço Jakimovski në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Koço Angjushev

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Koço Angjushev, u shpall si i padëshiruar për hyrje në Shtetet e Bashkuara vitin që shkoi në muajin dhjetor për shkak të përfshirjes së tij në nivele shumë të larta të korrupsionit.

Në kumtesën e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se Angjushev gjatë kohës që ka qenë zëvendëskryeministër e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në favor të interesave private të biznesit të tij, duke e cenuar besimin e popullatës në Maqedoninë e Veriut në institucionet qeveritare dhe proceset publike.

Ai i mohoi dyshimet e shprehura në dokumentin e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve dhe paralajmëroi ankimin ndaj vendimit.

“I mohoj fuqishëm të gjitha dyshimet e shprehura në dokumentin e publikuar nga Departamenti i nderuar i Shtetit dhe dua të njoftoj se do ta ankimoj vendimin dhe do t’i përdor të gjitha mjetet juridike të specifikuara në vetë dokumentin në drejtim të tërheqjes së këtij vendimi, të cilin unë e konsideroj të panevojshëm në kuadër të angazhimeve të miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta luftuar korrupsionin”, tha Angjushev më pas përmes një komunikate për media të Fero Invest, kompanisë në të cilën ai është drejtor ekzekutiv.

Koço Angjushev në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Koço Angjushev në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Jordan (Orce) Kamçev

Biznesmeni Jordan Orce Kamçev përfundoi në Listën e zezë të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara më 19 korrik të vitit 2023.

Nënsekretari i këtij Departamenti, Brian E. Nelson, tha se Kamçev e ka keqpërdorur pozitën e tij duke u përfshirë në aktivitete korruptive dhe duke zbatuar një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Biznesmeni Jordan ‘Orce’ Kamçev ka qenë i përfshirë gjerësisht në korrupsion, përfshirë këtu edhe në shpërdorim të detyrës, pastrim parash dhe vepra të tjera për më shumë se një dekadë, duke filluar nga fillimi i viteve 2000,” thanë atëkohë nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara.

Nga atje theksojnë se Kamçev në vitin 2022 ishte dënuar në procesin gjyqësor “Parcelat në Vodno” për pjesëmarrje në një skemë për pastrimin e parave lidhur me blerjen e paligjshme të tokës dhe se në një proces të veçantë ai u deklarua fajtor për shpërdorim të rëndë të detyrës në rastin “Perandoria” në të cilin ai dyshohej për bashkim kriminal, mashtrim, pastrim parash dhe krime të tjera që lidhen me bizneset e tij.

Përveç kësaj thuhet se Kamçev ka përdorur ndikimin korruptiv dhe pasurinë e tij “për të manipuluar me sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut në favor të tij”.

“Në vitin 2020 kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) u akuzua për pranim të ryshfetit nga Kamçev dhe dëshmoi se Kamçev kishte paguar para në këmbim të kushteve të favorshme për arrestimin dhe rezultatin e gjykimit. Kamçev më vonë ngriti procedurë civile kundër kryeprokurores dhe të tjerëve, duke pretenduar se i kishin zhvatur para. Gjykata Civile në Shkup vendosi se Kamçev nuk është viktimë dhe nuk ka të drejtë në kompensim për dëmet”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.

Pas këtij skandali SPS u shua, shtoi Departamenti i Thesarit, ndërsa si rezultat i kësaj shumë raste të korrupsionit të nivelit të lartë që i hetoi SPS-ja mbeten të pazgjidhura duke e shtyrë kështu dhënien e përgjegjësisë nga shumë individë që kanë qenë të përfshirë në korrupsion ngjashëm si Kamçev.

Jordan (Orce) Kamçev në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Jordan (Orce) Kamçev në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Sergej Samsonenko

 Ambasada e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut më 16 nëntor të vitit 2023 njoftoi se po shton në listë individë dhe subjekte të reja që kanë qenë të lidhur me rrjetin financiar të Orce Kamçevit, i cili u sanksionua për korrupsion në korrik të të njëjtit vit.

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara njoftoi se po vendos sanksione ndaj Sergej Samsonenkos, gruas së tij Irina Samsonenko dhe Ratka Kunoska-Kamçevës – nënës së Jordan Kamçevit, për korrupsion dhe aktivitete malinje.

Krahas lidhjes me djalin e saj emri i Ratka Kunoska-Kamçevës në vitet e fundit është ekspozuar në opinion si një nga të pandehurat në procesin “Parcelat në Vodno”, i cili kishte të bënte me pastrimin e parave përmes rishitjes së pronave, publikoi atëkohë Radio Evropa e Lirë.

Bashkë me Kunoska-Kamçevën në mesin e të pandehurve ishin edhe djali i saj Jordan Kamçev, ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK) Sasho Mijallkov. Të gjithë këto u dënuan, përveç Kunoska-Kamçevës, e cila u lirua për shkak të vjetrimit të akuzave ndaj saj.

Në skemën e shit-blerjes së parcelave atraktive në Vodno, që ishte lëndë në këtë proces gjyqësor, ishte përfshirë edhe çifti Samosonenko, i cili bleu pronën nga Kamçev në periudhën 2017-2018. Këtë e konstaton edhe Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara.

“Në vitin 2021 Samsonenko ka kryer pagesa për gruan e tij Irina. Në të njëjtën periudhë Irina ka transferuar para te ‘Kamchev Konsulting’ dhe ‘Orka Finance’, dy kompani që janë të lidhura me Kamçevën. Gjithashtu, në të njëjtën periudhë kohore, paratë e transferuara në ‘Kamchev Konsulting’ dhe ‘Orka Finance’ janë përdorur për të paguar një kredi të ‘Orka Holding’, kompani e lidhur me Jordan Kamçevin,” thanë nga Departamenti i Thesarit në një kumtesë të publikuar në muajin nëntor të vitit 2023.

Gjithashtu shtohet edhe se Sergej dhe Irina Samsonenko e kanë blerë edhe kompaninë “Sistina Life Care Center” nga Kamçev – një kompani tjetër e përfshirë në rastin “Parcelat në Vodno”.

Sergej Samsonenko në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Sergej Samsonenko në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Ramiz Merko

Në qershor të vitit 2023 një tjetër zyrtar i BDI-së u shpall i padëshiruar për hyrje në Shtetet e Bashkuara – kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për shkaqe si të gjithë të tjerët në listë, përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm.

Nga Departamenti i Thesarit atëkohë njoftuan se Merko, si kryetar i komunës, ka keqpërdorur fondet komunale dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke e shkelur kështu besimin e publikut në Maqedoninë e Veriut tek institucionet demokratike dhe zyrtarët.

Merko në skenën politike në Maqedoninë e Veriut është prezent që nga viti 2005 kur u bë kryetar i komunës së Strugës, komunë të cilën e menaxhoi deri në vitin 2014, shkroi atëkohë Prizma në profilin e tyre për kryetarin e Komunës së Strugës me titull “Merko: Nga drejtor i një farmacie bujqësore deri në Listën e zezë të Shteteve të Bashkuara”.

Para përfundimit të mandatit të tij të dytë kundër tij u ngrit aktakuzë. Ministria e Punëve të Brendshme në vitin 2013 hapi një procedurë për lejimin e ndërtimit të një objekti pa leje, por akuza u tërhoq në vitin 2016 me vlerësimin se nuk bëhej fjalë për vepër penale. Pas kësaj gjykata në Strugë e liroi. Si një nga deputetët e BDI-së Merko ishte pjesë e shumicës parlamentare në koalicionin me VMRO-DPMNE-në nga viti 2014 deri në vitin 2016. Pas ndryshimit të qeverisë dhe ardhjes në pushtet të LSDM-së, Merko u bë pjesë e kabinetit qeveritar të Zoran Zaevit si ministër pa portofol, por vetëm për një kohë të shkurtër.

Në tetor të vitit 2017 ai u zgjodh sërish kryetar i Komunës së Strugës, post në të cilin është edhe sot.

Ramis Merko në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Ramis Merko në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Nikolla Gruevski 

Në prill të vitit 2022 kur Departamenti i Thesarit e zgjeroi Listën e zezë, në të u gjet edhe emri i ish-kryeministrit dhe të arratisurit aktual, Nikolla Gruevski.

Qeveria amerikane në arsyetimin e saj për Gruevskin thekson se ky hap vjen si përgjigje ndaj përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Veprimet e tij, si dhe veprimet e shefit të atëhershëm të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK) dhe kushëririt të parë të Gruevskit, Sasho Mijallkov, e minojnë sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike në Maqedoninë dhe Hungari dhe minojnë besimin e publikut tek këto qeveri.

“Në cilësinë e tij zyrtare si kryeministër, Gruevski ishte i përfshirë në veprime korruptive përmes të cilave ai përdorte ndikimin e tij politik dhe pushtetin zyrtar për përfitime personale. Më konkretisht, ka informacione të besueshme se Gruevski ka keqpërdorur pushtetin e pozitës së tij për të kërkuar dhe për të marrë ryshfet në këmbim të kontratave qeveritare, për përvetësim në mënyrë të paligjshme të fondeve publike dhe për ndërhyrje në proceset zgjedhore për përfitime politike për veten dhe partinë e tij”, thanë atëkohë nga Departamenti i Shtetit.

Nikolla Gruevski, si ish-kryetar i VMRO-DPMNE-së tani në pushtet, para se të dërgohej në burg u arratis në Hungari dhe fitoi azil nga kryeministri i atjeshëm, Viktor Orban, i cili ka lidhje të afërta me Rusinë dhe Vlladimir Putinin.

Nikolla Gruevski në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Nikolla Gruevski në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Sasho Mijallkov

Krahas Gruevskit në Listën e zezë ndodhet edhe kushëriri i tij – ish-drejtori i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijallkov.

Në arsyetimin për Mijallkovin thuhet se në cilësinë e tij zyrtare si drejtor i DSK-së ai ka qenë i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e ndikimit politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Shtohet se ka dëshmi të besueshme se Mijallkov ka keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar për të kërkuar ryshfet në këmbim të lidhjes së kontratave qeveritare, si dhe se ka ndërhyrë në proceset zgjedhore për përfitime politike për veten dhe partinë e tij VMRO-DPMNE.

Përndryshe, vendosja e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në Listën e zezë amerikane në dhjetor të vitit 2024 lidhet edhe me Mijallkovin. Konkretisht, arsyeja kryesore e vendosje së tyre në këtë listë është fakti se SHBA-të pretendojnë kanë dëshmi se Mijallkov e ka korruptuar Grubin dhe Bexhetin për t’iu shmangur drejtësisë.

Sasho Mijallkov në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Sasho Mijallkov në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Menduh Thaçi 

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH) dhe ish-deputeti Menduh Thaçi u gjend në Listën e zezë amerikane në vitin 2004 për aktivitete ekstremiste që kishin për qëllim minimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohërit.

Në mars të vitit 2019 ai ishte dënuar me tre vjet burgim për rastin “Titanik 2” të Prokurorisë Publike Speciale për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, si dhe për nxitje të keqpërdorimit së bashku me Sasho Mijallkovin, Bedredin Ibraimin dhe tre ish anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Pas anulimit të aktgjykimit në dhjetor të të njëjtit vit nga Gjykata e Apelit, në janar të vitit 2023 u shqiptua dënim i ri me dy vite burg, por pas ndryshimeve në Kodin Penal, ai në nëntor sërish u anulua për shkak të vjetrimit të veprës.

Thaçi u bë i njohur për opinionin në Maqedoni pas publikimit të regjistrimit të bisedës së përgjuar me Sasho Mijallkovin në muajin mars të vitit 2015, në të cilën Thaçi i thotë: “Këtu më ke, nëse ke nevojë për ndonjë gjë, më thuaj, për çdo gjë, deri në vdekje“.

Menduh Thaçi në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Menduh Thaçi në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Lube Boshkovski

Politikani dhe ish-ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski, është ndër personat e parë nga Maqedonia që përfundoi Listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Ajo u gjet në të në maj të vitit 2003, pas Urdhrit Ekzekutiv 13304 të lëshuar nga presidenti i atëhershëm amerikan George W. Bush.

Gjatë konfliktit të vitit 2001 ai u emëruar për ministër të punëve të brendshme nga VMRO-DPMNE-ja në një koalicion të gjerë qeveritar, ndërsa në shtator të vitit 2002 u bë deputet në Kuvend.

Në gusht të vitit 2004 Boshkovski u arrestua në Kroaci, ndërsa në dhjetor të të njëjtit vit Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ngriti aktpadi për atë dhe për Johan Tarçullovskin, kështu që në mars të vitit 2005 ai u transferua në Hagë. Gjykimi filloi në prill të vitit 2007 dhe përfundoi në korrik të vitit 2008 kur Boshkovski u shpall i pafajshëm nga Tribunali i Hagës për ngjarjet në fshatin Luboten të Shkupit në gusht të vitit 2001 dhe u lirua.

Gjatë kthimit të tij në Maqedoni, ai u prit në aeroportin e Shkupit nga Nikolla Gruevski që atëkohë ishte kryeministër. Por më vonë marrëdhëniet e tyre u prishën, e Boshkovski e formoi partinë “Të Bashkuar për Maqedoninë”. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 në të cilat fitoi VMRO-DPMNE-ja, ai u arrestua nën dyshimin për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore dhe u dënua me pesë vjet burg. Lënda “Fushata” në vitin 2021 u kthye në rigjykim.

Ndërkaq “Të Bashkuar për Maqedoninë” u bë pjesë e koalicionit qeveritar të LSDM-së në zgjedhjet e vitit 2020, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare hyri në koalicion me VMRO-DPMNE-në tani në pushtet.

Boshkovski do të mbahet mend për incidentin në Mavrovë që ndodhi në vitin 2002, kur si ministër i punëve të brendshme qëlloi me granatahedhës automatik “M93” i cili përdor municion me diametër 30 milimetra. Me atë rast, katër persona të pranishëm në ngjarje, në mesin e tyre edhe një gazetar, u plagosën nga predhat gjatë të shtënave të Boshkovskit.

Lube Boshkovski në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk
Lube Boshkovski në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Xhevat Ademi

Politikani dhe ish-anëtari i UÇK-së, Xhevat Ademi në “Listën e zezë” amerikane përfundoi më 27 korrik të vitit 2001. Disa muaj më pas ai iu bashkua partisë së sapoformuar BDI dhe në vitin 2004 u bë zëvendësministër për vetëqeverisje lokale. Nga viti 2006 deri në vitin 2008 ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e BDI-së.

Xhevat Ademi në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk



Comments are closed for this post.

Të fundit