“Republika e Maqedonisë së Veriut, si një vend nga Ballkani Perëndimor që është i kahëzuar drejt prosperitetit dhe zhvillimit, punon intensivisht në sigurimin e stabilitetit dhe pavarësisë energjetike, për të cilat ka miratuar masa dhe modele në afat të shkurtër dhe afatgjatë, por edhe Strategji të re për investime në energjinë e gjelbër”.
Këtë e theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot në Beograd, në panelin e diskutimit për mundësitë e investimeve në burimet e ripërtërishme të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin marrin pjesë investitorë nga Norvegjia.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut është e fokusuar në sigurimin e stabilitetit energjetik në kushtet e krizës energjetike botërore, për të cilën ekziston një plan afatshkurtër që deri më tani është realizuar me sukses duke aktivizuar të gjitha kapacitetet për prodhimin vendor të energjisë elektrike.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që miratoi Strategjinë për zhvillimin e sektorit energjetik në vitin 2019, bazuar në shtyllat e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së. Ne jemi vendi i parë që zbaton një projekt për zëvendësimin e termocentralit të vjetër me qymyr në Osllome të Kërçovës, ku tashmë po ndërtojmë një termocentral 120 MW në vendin e një miniere të dikurshme të linjitit. Ky është një hap konkret drejt tranzicionit energjetik të Maqedonisë së Veriut dhe tregon një vullnet të fortë për dekarbonizimin e sektorit tonë energjetik dhe rrjedhimisht dekarbonizimin e ekonomisë sonë”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut investon si askush tjetër në sektorin e energjisë dhe në projekte që në afat të mesëm dhe afatgjatë do të sjellin vetëm përfitime.
Ndryshe, qëllimi i Konferencës është përforcimi i bashkëpunimit në zhvillimin e kapaciteteve për burimet e ripërtërishme të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor që duhet të sigurojnë pavarësinë energjetike. Konferenca rajonale për mundësitë e investimeve në burimet e ripërtërishme të energjisë në Ballkanin Perëndimor organizohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd dhe Sarajevë dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bashkëpunim me Aleancën Ekonomike Nordike.
Comments are closed for this post.