Gazetari i Sky News, Mark Austin, i cili intervistoi zëdhënësin e Putinit, Dmitry Peskov, i tha atij se shumë liderë ndërkombëtarë nuk i besojnë më Rusisë pasi Vladimir Putin filloi pushtimin e Ukrainës për të kundërshtuar zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore.

Peskov tha se Rusia duhet të “ribalancojë situatën” dhe “duhet të marrë masa shtesë për të garantuar sigurinë e saj, sepse ne mbetemi thellësisht të bindur se NATO është një makinë konfrontimi”.

“NATO nuk është një aleancë paqësore. Ajo u krijua për konfrontim, qëllimi kryesor i ekzistencës së NATO-s është konflikti me vendin tonë”, tha Peskov.

Duke iu përgjigjur deklaratës së gazetarëve se Suedia dhe Finlanda po shqyrtojnë anëtarësimin në NATO pas pushtimit të Ukrainës, Peskov tha se “Ne do të duhet të ribalancojmë situatën. E përsëris, në atë rast do të duhet ta bëjmë kufirin tonë perëndimor edhe më të sofistikuar për të garantuar sigurinë tonë”.

I pyetur nëse i konsideron sanksionet ndaj Rusisë një kërcënim ekzistencial, Peskov tha se “Jo, jo, ne kemi jetuar nën sanksione për dekada dhe jemi mësuar me një situatë të tillë. Ne filluam përgatitjet për këto sanksione një vit më parë. Tani jemi në një situatë shumë të tensionuar sa i përket ekonomisë, por ekonomia jonë është ende në këmbë dhe po mbahet mirë”.

Ndryshe, Rusia sot është përjashtuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara.